
Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar një marrëveshje për shitjen e armëve ndaj Izraelit me një vlerë prej rreth 510 milionë dollarësh, që përfshin pajisje drejtuese JDAM për qindra bomba depërtuese dhe precize, përcjell YNetNews.
Sipas njoftimit zyrtar, Izraeli ka kërkuar të blejë 3,845 njësi të kompletuara KMU-558B/B për bombat BLU-109 dhe 3,280 njësi KMU-572 F/B për bombat MK-82. Marrëveshja përfshin gjithashtu mbështetje logjistike dhe inxhinierike nga qeveria amerikane dhe kontraktorë privatë.
Agjencia për Bashkëpunim të Sigurisë së Mbrojtjes (DSCA) thekson se kjo marrëveshje synon të përmirësojë aftësitë e vetëmbrojtjes së Izraelit dhe të forcojë bashkëpunimin me forcat amerikane. Kontraktori kryesor i furnizimit do të jetë kompania Boeing, ndërsa një pjesë e inventarit do të vijë nga magazinat ushtarake amerikane.