
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) deklaruan se operacionet në jug të Rripit të Gazës, pranë pikave të shpërndarjes së ndihmave të menaxhuara nga Gaza Humanitarian Foundation (GHF) me mbështetje amerikane, kanë për qëllim të thyejnë kontrollin e Hamasit mbi popullsinë lokale dhe t’u ofrojnë palestinezëve mundësinë për të marrë ushqim nga një burim që nuk është i lidhur me grupin terrorist, përcjell Jerusalem Post.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur janë ngritur akuza të forta, të shoqëruara me pamje filmike, për të shtëna ndaj civilëve palestinezë në këto pika ndihmash – një situatë që Kombet e Bashkuara e kanë cilësuar si katastrofë humanitare, ku thuhet se janë vrarë qindra persona.
Gazeta izraelite Haaretz, duke cituar ushtarë të IDF-së në mënyrë anonime, raportoi se këta kishin marrë urdhër të qëllonin për të frenuar turmat. IDF-ja mohoi që të ketë qëlluar qëllimisht ndaj civilëve, duke theksuar se përpjekjet e saj janë të përqendruara në ruajtjen e rendit në një situatë kaotike. Nga ana tjetër, një zëdhënës i GHF-së u shpreh se nuk ka pasur vdekje në ose pranë pikave të shpërndarjes së ndihmës së tyre.
IDF pranoi një rast kur janë qëlluar plumba drejt një turme dhe janë plagosur 30 persona, por theksoi se çdo incident hetohet dhe se mund të dallojë plumbat e veta. Sipas ushtrisë, të dhënat që dalin nga Gaza janë të manipuluara nga Hamasi dhe të amplifikuara nga organizata ndërkombëtare që operojnë në terren.
Sipas raportimeve të shumta, ekziston pasiguri mbi fatin e ndihmave pas hyrjes në territorin palestinez. Izraeli dhe SHBA kanë akuzuar Hamasin se vjedh ndihmat që vijnë përmes operacioneve të OKB-së, ndërsa raporte të tjera flasin për klane të armatosura që arrijnë të parat në vend, përpara se ndihmat të përvetësohen nga Hamasi. IDF theksoi se shpesh këto grupe grabisin ndihmat përpara Hamasit.
Gjithashtu, sipas IDF-së, vetë Hamasi ka qëlluar ndaj civilëve që kërkonin ndihma, ka vrarë disa prej tyre dhe i ka hedhur nga shkallët në Spitalin Nasser në Khan Yunis, duke urdhëruar që të mos u ofrohet kujdes mjekësor.
Një tjetër problem i hasur nga forcat izraelite në terren është mungesa e një sistemi të saktë verifikimi për civilët që paraqiten për ndihmë, gjë që shkakton konfuzion dhe frikë mes ushtarëve. Megjithë përpjekjet për të dhënë udhëzime për oraret e paraqitjes në qendrat e ndihmës, kaosi vazhdon dhe puna mbetet e papërfunduar.
IDF theksoi se është e përgatitur të vazhdojë përpjekjet humanitare nëse nënshkruhet një armëpushim në javët në vijim.
Për të përmirësuar menaxhimin e ndihmave, IDF-ja ka ndërmarrë masa të reja si: ndërtimi i gardheve, vendosja e sinjalistikës paralajmëruese dhe orientuese, hapja e rrugëve shtesë për akses, ngritja e pikave kontrolli dhe modifikimi i strukturës së qendrave për të lehtësuar mbikëqyrjen e ndihmave të mbetura në fund të ditës.
Këto masa synojnë të sigurojnë qarkullimin e sigurt të civilëve të Gazës, shpërndarjen e rregullt të ndihmave dhe vazhdimësinë e operacioneve të sigurisë nga ana e IDF-së. Ushtria izraelite theksoi angazhimin e saj për të mbështetur përpjekjet humanitare duke ruajtur njëkohësisht sigurinë e të gjitha palëve të përfshira.