
Europa Jugore po përballet me një valë intensive të të nxehtit, e cila ka shkaktuar temperatura rekord, zjarre masive dhe ka rritur presionin mbi sistemet shëndetësore në disa vende.
Ndërkohë që njerëzit përpiqen të përballojnë të nxehtin ekstrem, zjarret në Turqi po vazhdojnë për të dytën ditë radhazi.
Në provincën perëndimore të Izmirit në Turqi, zjarret kanë vazhduar për të dytën ditë rresht, të përhapura nga erëra të forta, njoftoi ministri i Pylltarisë, İbrahim Yumaklı. Sipas agjencisë AFP, janë evakuuar katër fshatra dhe dy lagje urbane.
“Rajonet bregdetare të Turqisë janë përballur me zjarrvënie të rënda vitet e fundit për shkak të verërave më të nxehta dhe më të thata, të cilat shkencëtarët i lidhin drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu,” raportoi AFP.
Ekipi mjedisor i The Guardian thekson se:
“Motet zjarrprurëse – një kombinim i nxehtësisë, thatësirës dhe erërave të forta – po rriten në disa rajone të të gjitha kontinenteve.”
“Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu kanë rritur gjasat për zjarre dhe sipërfaqet e djegura në Evropën Jugore, Euroazinë Veriore, SHBA dhe Australi, me prova shkencore që sugjerojnë rritje edhe në Kinën Jugore.”
“Sezoni i zjarreve në nivel global është zgjatur mesatarisht me dy javë.”
Fotot nga zona tregojnë tym që ngrihet mbi Izmir ndërsa zjarrfikësit përpiqen të shuajnë flakët nga toka dhe ajri.
Franca, Italia dhe Spanja në gjendje alarmi
Në Francë, thuajse i gjithë territori i kontinentit është vendosur në alarm “të paprecedentë” për shkak të të nxehtit, njoftojnë autoritetet meteorologjike.
Në Itali, vala e të nxehtit ka përfshirë të gjithë vendin, me presion të shtuar mbi spitalet. Mjekët raportojnë rritje të ndjeshme të rasteve me probleme të frymëmarrjes dhe të moshuar që kërkojnë ndihmë emergjente për shkak të temperaturave ekstreme.
Në Spanjë, sipas Agjencisë Shtetërore Meteorologjike AEMET, është regjistruar një temperaturë provizore prej 46°C, një rekord i ri për muajin qershor.
The Guardian raporton se shpesh termometrat në rrugët e Spanjës shfaqin temperatura që duken të frikshme, por që janë më të larta se temperatura reale.
Kjo ndodh sepse ato janë të ekspozuara drejtpërdrejt në diell dhe mbi sipërfaqe të nxehta si asfalti, çka ndikon në ndjeshmërinë e sensorëve.
AEMET sqaroi se matjet zyrtare realizohen në shtylla të posaçme të ndërtuara dhe të rregulluara sipas standardeve ndërkombëtare, për të garantuar saktësinë e të dhënave.
Ndërkohë, Gjermania pritet të përballet me të nxehtin më vonë gjatë javës, me autoritetet që kanë nisur të marrin masa parandaluese për përballimin e valës që po i afrohet.
Ndikimi i ndryshimeve klimatike
Sipas ekspertëve, vala e të nxehtit që ka përfshirë kontinentin është një tjetër tregues i drejtpërdrejtë i krizës klimatike që po përshkallëzohet. Në një analizë të publikuar nga The Guardian, theksohet:
“Prishja klimatike e shkaktuar nga aktivitetet njerëzore është duke e bërë më të zakonshme shfaqjen e valëve ekstreme të të nxehtit.”
Sipas të dhënave, ky është një prej muajve qershor më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në shumë pjesë të Evropës, ndërkohë që stinët e të nxehtit po fillojnë më herët dhe zgjasin më shumë.