Vendosni fjalën kyçe....

Efektiv i burgut të Drenovës arrestohet për futje të drogës brenda institucionit


Një efektiv i policisë së burgut të Drenovës është arrestuar ditën e sotme pas një hetimi të gjatë të ndjekur nga Prokuroria. Burime konfidenciale bëjnë me dije se punonjësi i arrestuar është R. Myrte, i cili ishte vendosur prej muajsh nën përgjim, pasi dyshohej për përfshirje në aktivitete të paligjshme brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.

Sipas të dhënave paraprake, Myrte dyshohet se ka futur në mënyrë të përsëritur doza me lëndë narkotike të dyshuar si kanabis, të cilat më pas ua ka shpërndarë të dënuarve në burg. Ky veprim përbën një abuzim të rëndë me detyrën dhe rrezikon seriozisht sigurinë dhe rendin në burgun e Drenovës.

Arrestimi i tij është kryer në bazë të një urdhri të lëshuar nga Prokuroria dhe pritet që në orët në vijim autoritetet të dalin me një deklaratë zyrtare për zbardhjen e plotë të çështjes. Ndërkohë, hetimet përfshijnë edhe mundësinë e bashkëpunimit me persona të tjerë brenda apo jashtë institucionit.