Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i ri i MI6 në Britani është mbesa e një bashkëpunëtori nazist


Historia personale e Blaise Metreweli, drejtoreshës së ardhshme të Shërbimit Sekret të Jashtëm britanik (MI6), po shkakton polemika përtej emërimit të saj historik si gruaja e parë që do të drejtojë këtë agjenci të fuqishme.

E diplomuar në antropologji nga Universiteti i Kembrixhit dhe e njohur për përvojën e saj të gjatë në terren në Lindjen e Mesme dhe aftësinë për të folur arabisht, Metreweli ka ndërtuar një karrierë të gjatë dhe të heshtur brenda shërbimit sekret britanik që nga viti 1999.

Por, siç raportoi “Daily Mail” të premten, familja e saj mbart një të kaluar të errët që tani po bie në qendër të vëmendjes, përcjell Ynet.

Gjyshi i saj, Constantine Dobrowolski, ishte një bashkëpunëtor i regjimit nazist dhe spiun i Gjermanisë së Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sipas dokumenteve të arkivave gjermane në Freiburg, Dobrowolski – i njohur me nofkën “Kasapi” – dezertoi nga Ushtria Sovjetike dhe u bë një prej spiunëve më të rëndësishëm të nazistëve në Ukrainë.

Ai veproi si “agjenti nr. 30” dhe ishte përfshirë në operacione hakmarrjeje kundër rusëve për vrasjen e familjes së tij dhe grabitjen e pasurisë së tyre gjatë Revolucionit Bolshevik të vitit 1917.

Autoritetet sovjetike vunë një shpërblim prej 50 mijë rubla për kapjen e tij – ekuivalente me rreth 250 mijë dollarë sot – duke e shpallur “armikun më të madh të popullit ukrainas”.

Por ajo që ka shkaktuar më shumë tronditje janë akuzat për përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në zhdukjen masive të hebrenjve gjatë Holokaustit.

Dokumentet e arkivuara sugjerojnë se Dobrowolski jo vetëm që ishte krenar për përfshirjen e tij në vrasjen e qindra bashkëqytetarëve të tij ukrainas, por edhe se fliste me cinizëm për përdhunimin e grave hebreje nga trupat naziste.

ראש ה-MI6 הבאה של בריטניה בלייז מטרוולי / קונסטנטין דוברובולסקי סבא של ראש ה-MI6 הבאה

 

Ndërsa Blaise Metreweli është vlerësuar ndër vite për shërbimin e saj ndaj politikës së jashtme britanike, pa asnjë gjurmë në rrjetet sociale dhe me një karrierë të përkushtuar prapa skenave, e kaluara e familjes së saj mund të bëhet pengesë për imazhin e saj publik si shefe e shërbimit të inteligjencës.

Emërimi i saj pritet të hyjë në fuqi pas tre muajsh.

Deri atëherë, ngjashëm me hijet që kanë ndjekur shpesh MI6 në dekada, edhe ky kapitull i ri do të ndiqet nga jehona e një historie të dhimbshme dhe komplekse.