
Takimi i thirrur nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, me liderët e partive për të diskutuar rreth konstituimit të Kuvendit, përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete. Opozita e quajti takimin të pasuksesshëm dhe “farsë politike”, ndërsa Kurti tha se ofroi dy opsione kompromisi dhe akuzoi PDK-në e LDK-në për mungesë vullneti.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi takimin si një “aktrim politik”, ndërsa kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se Kurti nuk tregoi sinqeritet për zgjidhje.
Ndërkohë, Kuvendi ende nuk është konstituuar për shkak të mungesës së marrëveshjes për kryetarin dhe nënkryetarët, me debatin më të madh rreth propozimit të Vetëvendosjes për votim të fshehtë – ide që opozita e konsideron jokushtetuese.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Kuvendi duhet të konstituohet deri më 26 korrik. Interpretimet e ndryshme të vendimit nga partitë politike po thellojnë krizën, ndërsa ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani, paralajmëron se çdo devijim nga procedurat është në kundërshtim me Kushtetutën.