Vendosni fjalën kyçe....

SPAK sekuestron 21 pasuri me vlerë 12 milionë euro në Durrës dhe rrethina


Gjykata e Posaçme, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ka vendosur sekuestrimin e 21 pasurive në Durrës dhe zonat përreth, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 12 milionë euro. Sipas SPAK, këto pasuri dyshohet se janë krijuar përmes të ardhurave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike dhe pastrimi i parave. Masa është marrë në kuadër të hetimeve pasurore të nisura në bashkëpunim me autoritetet italiane në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Ura”, për të cilin më 21 maj u lëshuan 53 masa sigurie – 30 në Shqipëri dhe 23 në Itali – përfshirë kreun e grupit kriminal Adi Çoba.

Në listën e pronave të sekuestruara përfshihen sipërfaqe të mëdha trualli, ndërtesa, njësi shërbimi, lokale, restorante dhe biznese në zonën turistike të plazhit dhe të Currilave në Durrës. 10 prej pasurive janë në emër të të shumëkërkuarit Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”, ndërsa të tjera janë në pronësi të bashkëshortes dhe familjarëve të tij. SPAK bën të ditur se hetimet për këtë grup nisën në vitin 2016 dhe u intensifikuan pas vitit 2020, kur falë përgjimeve dhe analizës së komunikimeve të koduara SkyECC u dokumentuan transaksione në para të thata deri në 5 milionë euro.

Nëpërmjet vendimeve të datave 20 maj dhe 20 qershor 2025, Gjykata e Posaçme ka autorizuar sekuestrimin e këtyre pronave, të cilat tashmë janë vënë në administrim nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Hetimi pasuror vijon edhe për pasuri të tjera të dyshuara të fshehura në emër të personave të tretë apo të transferuara në mënyrë fiktive.

Operacioni “Ura” ka në qendër tre nëngrupe kriminale me bazë në Durrës dhe në rajonin e Puglias në Itali, të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe investime në biznese ndërtimi, media, transport dhe shërbime. Kjo është hera e dytë që këtij grupi i sekuestrohen pasuri në shkallë të gjerë. Në maj, pjesë e sekuestrimit ishin gjithashtu kompani ndërtimi, restorante luksoze, agjenci imobiliare dhe një televizion lokal në Vlorë. Në Itali janë sekuestruar apartamente, kompani, makina dhe llogari bankare.

SPAK deklaron se hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë e Barit, Drejtorinë e Antimafias dhe me mbështetjen e Eurojust, dhe është një ndër goditjet më të mëdha të ndërmarra ndaj rrjeteve kriminale që lidhin Ballkanin me Evropën dhe Amerikën Latine.