Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu dënon sulmet e kolonëve ndaj ushtarëve të IDF-së: Askush s’mund të marrë ligjin në duart e veta



Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka dënuar ashpër sulmet e disa kolonëve hebrenj ndaj rezervistëve të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) në Bregun Perëndimor, që ndodhën mes natës së premte dhe mëngjesit të së shtunës, përcjell Jerusalem Post.

Shteti i Izraelit është një shtet i së drejtës, dhe askush nuk ka të drejtë të marrë ligjin në duart e veta,” tha Netanyahu, duke kërkuar një hetim të plotë për incidentin. Ai shtoi se autorët përfaqësojnë “një pakicë të vogël që nuk pasqyron shumicën dërrmuese të kolonëve që respektojnë ligjin dhe shërbejnë në IDF dhe forcat e sigurisë”.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të IDF, gjeneral-lejtnant Eyal Zamir, dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, gjithashtu dënuan sulmet. “Përdorimi i dhunës nga një pakicë ekstremiste minon rendin ligjor dhe dëmton sigurinë e zonës,” deklaroi ushtria.

Ministri Katz kërkoi nga autoritetet ligjzbatuese të identifikojnë dhe ndëshkojnë përgjegjësit, duke theksuar se “Izraeli nuk do të tolerojë dhunën ndaj ushtarëve të tij që luftojnë kundër terrorizmit palestinez dhe mbrojnë komunitetet e kolonëve”.

Ndërkohë, lideri i opozitës Yair Lapid e quajti ngjarjen “jashtëzakonisht serioze” dhe kërkoi që autorët të përballen menjëherë me drejtësinë.

Kryetari i partisë Demokratët, Yair Golan, kundërshtoi deklaratën e Netanyahu-t se kjo është vepër e një pakice, duke paralajmëruar se “kërcënimi më serioz ekzistencial për Izraelin nuk vjen nga Irani apo Jemeni, por nga brenda”. Sipas tij, një rrymë ekstremiste nacionaliste dhe fetare po rrezikon identitetin demokratik të shtetit.

Sulmet ndaj ushtarëve të IDF nuk janë vepra patriotike apo sioniste. Ato janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për shtetin dhe shoqërinë izraelite,” përfundoi ai.