
Ruanda dhe Republika Demokratike e Kongos kanë nënshkruar një marrëveshje paqeje në Uashington, që synon t’i japë fund dekadave të konflikteve të përgjakshme në lindje të Kongos dhe i hap rrugë SHBA-ve për qasje në burimet minerale të çmuara të rajonit, përcjell BBC.
Dokumenti, i nënshkruar nga ministrat e Jashtëm të dy vendeve në Departamentin Amerikan të Shtetit, parashikon “çarmatosjen, çmilitarizimin dhe integrimin e kushtëzuar” të grupeve të armatosura që operojnë në lindje të DRK-së. Megjithëse detajet mbeten të pakonfirmuara, palët e përfshira po e portretizojnë si një sukses historik diplomatik.
Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi marrëveshjen si “një ditë të madhe për Afrikën dhe për botën”, ndërsa presidenca e DRK-së e përshkroi si “arritjen më të rëndësishme në mbi 30 vjet”.
Marrëveshja vjen pas ofensivës së rebelëve M23, të cilët morën nën kontroll qytete të mëdha si Goma e Bukavu. Kongo iu drejtua SHBA-ve për ndihmë ushtarake, duke ofruar në këmbim akses në mineralet strategjike të rajonit si koltani – një element kyç për industrinë teknologjike globale.
Ndërkohë, Ruanda mohon çdo mbështetje për M23, pavarësisht provave ndërkombëtare, dhe këmbëngul se prania e saj ushtarake në territorin kongolez është një masë mbrojtëse ndaj kërcënimit që përfaqëson milicia FDLR.
Megjithatë, marrëveshja nuk përmban termat “trupa ruandase” apo “tërheqje”, duke ngritur pikëpyetje për zbatimin e saj konkret. Kongoja thekson se dokumenti parashikon tërheqjen e trupave rwandase nën termin “ç’angazhim”, për të shmangur përplasjet semantike.
Në mungesë të transparencës së plotë mbi përmbajtjen e marrëveshjes, mbeten të paqarta disa çështje kyçe: A do të tërhiqen rebelët M23? A do të lejohet kthimi i refugjatëve kongolezë nga Rwanda? Dhe kush do të çarmatosë grupet si FDLR?