Vendosni fjalën kyçe....

Krizë mjedisore në Vjosë, nafta rrezikon lumin dhe jetën e egër



Një ndër pasuritë më të mëdha natyrore të Shqipërisë, Parku Kombëtar i Vjosës, po përballet me një kërcënim serioz për jetën e egër dhe ekosistemin unik që ai mbart. Nafta e papërpunuar nga stacioni i Gorishtit në Selenicë po derdhet në mënyrë të pakontrolluar drejt lumit Vjosa, duke shkaktuar një ndotje të rëndë dhe të vazhdueshme.

Pamjet e publikuara së fundmi nga organizata mjedisore “EcoAlbania” tregojnë derdhjen masive të naftës në afërsi të Poçemit në Mallakastër, ku ndodhet fusha naftëmbajtëse Gorisht-Kocul, e administruar nga kompania shtetërore Albpetrol. Lëngu i errët dhe i ndotur ndjek rrjedhën e Përroit të Madh të Mërtirajt dhe përfundon në Vjosë, duke shkaktuar dëme të pakthyeshme për florën dhe faunën.

Sipas organizatës “EcoAlbania”, kjo ndotje është një problem i përsëritur, i denoncuar edhe më herët, por këtë vit situata ka marrë përmasa alarmante për shkak të temperaturave të larta dhe shkrirjes së substancave të naftës në ujë. Pamjet shokuese tregojnë gjallesa të ngordhura – përfshirë gjarpërinj dhe zogj – që nuk kanë mundur të mbijetojnë në këto kushte.

Fotografi dhe aktivisti i njohur i RiverWatch, Joshua David Lim, ka publikuar një video në rrjetet sociale duke e përshkruar Vjosën si “një lumë të vdekur, ku asgjë nuk mbijeton”.

Reagimi institucional mungon

Megjithëse një muaj më parë Shqipëria aplikoi për ta përfshirë Vjosën në listën e UNESCO-s si pjesë e Rrjetit të Rezervave të Biosferës, institucionet shtetërore nuk kanë reaguar ndaj kësaj ndotjeje. Sipas biologut Olsi Nika nga “EcoAlbania”, “problemet në këtë zonë kanë ekzistuar prej vitesh, por tani jemi përballë një katastrofe të mundshme nëse nuk ndërhyhet menjëherë”.

Ndikimi shkon përtej kufijve të parkut

Edhe pse pikat e shpimit dhe depozitimit të naftës ndodhen jashtë kufijve zyrtarë të parkut kombëtar, ndikimi i tyre mbi lumin është i drejtpërdrejtë. Ndotja nuk ndalet në përroin e ndotur, por shpërhapet në të gjithë rrjedhën e Vjosës, duke kërcënuar një ekosistem delikat dhe të mbrojtur.

Sipas Nika-s, “substancat e rënda që përmban nafta krudo ndërhyjnë në ekuilibrin biologjik të ekosistemit. Kemi evidentuar dëme të mëdha për amfibët, shpendët dhe gjallesat e tjera që varen nga ky habitat”.

Kërkohet ndërhyrje urgjente

EcoAlbania bën thirrje për një plan të mirëfilltë rehabilitimi dhe për zbatimin e parimit “ndotësi paguan”. Deri tani, përpjekjet për pastrimin e ndotjes kanë qenë të pjesshme dhe të papërshtatshme. “Duhet një reagim i bashkërenduar nga autoritetet shtetërore, operatorët dhe komuniteti shkencor për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet,” përfundon Nika.

Për Vjosën – Parkun e parë të një lumi të egër në Evropë – ky është një test vendimtar për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore të vendit.