
Një 34-vjeçar i akuzuar për vjedhjen e disa biçikletave e monopatinave është arrestuar në Tiranë.
Në pranga ka rënë i riu me iniciale A.H., i cili sipas pamjeve filmike rezulton autor i vjedhjes së 10 biçikletave në zona të ndryshme të Tiranës.
Në gjendje të lirë është proceduar një person me iniciale F.T. i cili dyshohet si bashkëpunëtor.
Njoftimi
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas kallëzimeve nga disa qytetarë, për vjedhjen e biçikletave dhe monopatinave të tyre, në lagje të ndryshme, gjatë natës, kanë organizuar menjëherë punën në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1 dhe Komisariatin e Policisë Nr. 2, për zbardhjen e tyre. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, bazuar dhe në pamjet filmike, është bërë e mundur zbardhja e 10 rasteve të vjedhjes së biçikletave dhe motomjeteve elektrike, të kryera gjatë muajve janar, prill, maj dhe qershor, nga shtetasit A. H., 34 vjeç, banues në Tiranë, i cili u vu në pranga, dhe F. T., i cili po ndiqet në gjendje të lirë. Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.”