
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj procesit gjyqësor për korrupsion ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke e cilësuar atë si politikisht të motivuar dhe një “gjueti shtrigash”.
Në një postim të gjatë në rrjetin e tij Truth Social, Trump kërkoi pezullimin e menjëhershëm të gjyqit ndaj Netanyahut ose faljen e tij të plotë.
“Isha i tronditur kur dëgjova që Izraeli, i cili sapo ka kaluar një nga momentet më të mëdha në historinë e tij dhe drejtohet fuqishëm nga Bibi Netanyahu, po vazhdon këtë gjueti qesharake shtrigash kundër kryeministrit të tij në kohë lufte”, shkroi Trump, duke përdorur nofkën e njohur për Netanyahun.
Ai kritikoi ashpër faktin që Netanyahu është thirrur sërish në gjykatë, duke kujtuar se ai po përballet me këtë proces që nga maji i vitit 2020. Trump e përshkroi gjyqin si “një shfaqje horror” dhe theksoi se është hera e parë që një kryeministër izraelit në detyrë përballet me një gjykim të tillë.
Trump i hodhi poshtë akuzat si të parëndësishme dhe të pabaza, duke përmendur në mënyrë ironike se përfshijnë “një puro, një kukull Bugs Bunny dhe shumë akuza të tjera të padrejta”. Ai pretendoi se qëllimi i vërtetë i këtij procesi është dëmtimi i Netanyahut si lider, duke shtuar: “Ai meriton shumë më mirë se kjo, dhe kështu meriton edhe Izraeli”.
Në fund, Trump e quajti Netanyahun “një hero të madh” dhe deklaroi: “Ishin Shtetet e Bashkuara që shpëtuan Izraelin dhe tani do të jenë Shtetet e Bashkuara që do të shpëtojnë Bibi Netanyahun.”/Ynet