
Një fushatë e re izraelite që promovon një “rend të ri rajonal” ka shkaktuar zemërim të gjerë në botën arabe, pasi përfshin në posterë edhe presidentin sirian Ahmad al-Sharaa përkrah kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan Donald Trump. Billbordi është pjesë e një nisme të “Koalicionit për Sigurinë Rajonale”, e cila përfshin mbi 100 zyrtarë izraelitë dhe ka për qëllim të nxisë zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit pas suksesit ushtarak të Izraelit ndaj Iranit, përcjell YNetNews.
Shtetet e Bashkuara po shtyjnë për një ringjallje të këtyre marrëveshjeve dhe të dërguarit amerikanë, përfshirë Steve Witkoff dhe Thomas Barrack, kanë paralajmëruar “zhvillime të mëdha”, sidomos në drejtim të Sirisë dhe Libanit.
Përfshirja e al-Sharaa në fushatë u konsiderua provokuese dhe tradhti nga media siriane dhe grupet pro-iraniane, që e denoncuan përpjekjen si një fushatë normalizimi me “armikun sionist”. Kritikë pati edhe ndaj përfshirjes së liderëve të tjerë arabë, përfshirë Mahmoud Abbasin dhe krerë nga Egjipti, Jordania, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara, dhe Maroku.
Lian Pollak-David, një nga organizatorët e fushatës, tha se është koha për të kthyer sukseset ushtarake të Izraelit në përfitime diplomatike, ndërsa i bëri thirrje shteteve arabe që të bashkohen në një aleancë politike rajonale.
Fushata vjen në një moment të ndjeshëm diplomatik, ndërsa Siria dhe Libani sinjalizojnë gatishmëri për bisedime, ndërsa përkrahësit e Marrëveshjeve të Abrahamit kërkojnë të shfrytëzojnë rrethanat pas sulmeve ndaj Iranit për të formuar një rend të ri në Lindjen e Mesme.