Vendosni fjalën kyçe....

Fieri në alarm zjarresh, temperatura ekstreme dhe dhjetëra vatra aktive


Qarku i Fierit është shpallur zona me rrezikun më të lartë për zjarre në shkallë vendi, për shkak të temperaturave ekstreme që kanë arritur sot në 36°C dhe pritet të shkojnë deri në 40°C në ditët në vijim. Paralajmërimi vjen nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEUM), ndërsa Prefektura e Fierit ka kërkuar mobilizim të menjëhershëm të strukturave vendore për përballimin e situatës.

“Situata kërkon kujdes maksimal në çdo bashki”, thekson përfaqësuesi i Prefekturës, Kreshnik Ymeraj, duke u bërë thirrje fermerëve të shmangin djegien e mbetjeve bujqësore që rrezikojnë të kthehen në zjarre masive.

Vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 48 raste zjarresh në qarkun e Fierit, ku bashkia më e rrezikuar mbetet ajo e Lushnjës.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë raportuar 8 vatra zjarri në qarqet Fier, Lezhë, Vlorë, Shkodër, Tiranë dhe Berat. Të gjitha janë izoluar falë angazhimit të 78 efektivëve dhe 11 automjeteve zjarrfikëse.

Zjarre aktive janë regjistruar këtë pasdite edhe në fshatin Çukë, që po përhapet drejt Metoqit për shkak të erës dhe terrenit malor, si dhe në Ksamil, pranë një resorti turistik, duke rritur shqetësimin për sezonin turistik.

Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve që në rast tymi ose flakësh, të njoftojnë menjëherë zjarrfikësit në numrin 128. Çdo minutë është vendimtare për të shmangur pasojat shkatërruese.