Vendosni fjalën kyçe....

Trump: SHBA do të takohet me Iranin “javën që vjen”, por një marrëveshje bërthamore “nuk është e domosdoshme”


Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë një takim me Iranin javën e ardhshme për të diskutuar një marrëveshje të mundshme bërthamore, por shtoi se nuk e sheh të nevojshme një marrëveshje të tillë.

“Do të flasim me ta javën që vjen, me Iranin. Mund të nënshkruajmë një marrëveshje, nuk e di. Për mua, nuk mendoj se është aq e nevojshme. Ata patën një luftë, u përleshën, tani po kthehen në botën e tyre. Nuk më intereson nëse kemi marrëveshje apo jo,” tha Trump në një konferencë për shtyp në përfundim të samitit të NATO-s në Hagë, përcjell CNN.

Trump shtoi se administrata e tij do të kërkojë të njëjtat angazhime që kishte kërkuar edhe në negociatat e mëparshme me Iranin, përpara përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme.

“E vetmja gjë që do të kërkojmë është ajo që kemi kërkuar më parë,” tha ai, duke përsëritur sërish se nuk e sheh të nevojshme një marrëveshje, pasi sipas tij, SHBA ka shkatërruar tashmë kapacitetet bërthamore të Iranit – pavarësisht vlerësimeve të hershme të inteligjencës që sugjerojnë të kundërtën.

“Ne nuk duam armë bërthamore, por i kemi shkatërruar ato. Me fjalë të tjera, janë shkatërruar. Unë thashë ‘Irani nuk do të ketë bërthamore’. Epo, ne i hodhëm në erë. Janë shkatërruar krejtësisht, ndaj nuk ndiej ndonjë urgjencë për një marrëveshje. Po të kemi një dokument, nuk do ishte keq. Do të takohemi me ta,” deklaroi presidenti.

Trump tha se kishte pyetur Sekretarin e Shtetit dhe njëkohësisht këshilltarin e tij për sigurinë kombëtare, Marco Rubio, ndërsa po ngjiteshin në skenë, nëse dëshironte të hartonin një marrëveshje. Sipas Trump-it, SHBA mund ta bindë Iranin ta nënshkruajë atë.

Nga ana e tij, Rubio u tha gazetarëve se një marrëveshje e tillë do të varet nga gatishmëria e Iranit për të negociuar drejtpërdrejt me SHBA-në dhe jo përmes ndërmjetësve.