Presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar për herë të parë se presidenti rus Vladimir Putin është më i vështirë për t’u përballuar sesa e kishte menduar fillimisht.
Në një deklaratë gjatë samitit të NATO-s në Hagë, Trump tha se kishte nënvlerësuar kompleksitetin e situatës në Ukrainë dhe rolin e Putinit: “Është më e vështirë sesa njerëzit mund ta imagjinojnë. Vladimir Putin ka qenë më i vështirë,” tha ai.
Para se të merrte detyrën në janar, Trump kishte pretenduar se mund t’i jepte fund luftës në Ukrainë “brenda një dite”, por pas më shumë se pesë muajsh në detyrë, konflikti vijon pa shenja përfundimi.
Trump pranoi gjithashtu se kishte pasur “disa probleme” me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, megjithatë shtoi se takimi i tyre në margjinat e samitit ishte “shumë i këndshëm”, përcjell Telegraph.
Marrëdhëniet e Trump me Putinin duket se janë ftohur muajt e fundit. Në maj, ai e quajti liderin rus “i çmendur” pas një vale sulmesh ajrore ndaj qyteteve ukrainase. Nga ana tjetër, Kremlini reagoi duke thënë se Trump po vuante nga një “ngarkesë emocionale”.
Ndërkohë, në të njëjtën ditë, Trump iu përgjigj një gazetareje ukrainase që e pyeti nëse SHBA do të dërgojë sisteme mbrojtëse Patriot në Ukrainë. Edhe pse nuk dha një premtim të qartë, ai tha: “Do të shohim nëse mund të vëmë disa në dispozicion”, dhe shtoi me empati: “E kuptoj që është shumë prekëse për ju. I thuaj të fala burrit tënd.”