Vendosni fjalën kyçe....

Rutte komenton veprimet e Trumpit në Lindjen e Mesme: “Babai” ndonjëherë duhet të përdorë gjuhë të fortë


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përdori një krahasim të pazakontë për të përshkruar rolin e presidentit amerikan Donald Trump në zgjidhjen e krizës mes Izraelit dhe Iranit, gjatë samitit të NATO-s të mbajtur të mërkurën në Hagë.

Pas komenteve të Trump-it, i cili e krahasoi konfliktin midis Izraelit dhe Iranit me “dy fëmijë në një oborr shkolle që zihen”, Rutte ndërhyri me një analogji tjetër, përcjell CNN.

“Pastaj babi duhet ndonjëherë të përdorë një gjuhë të fortë,” tha Rutte, duke shkaktuar reagime të ndryshme në publik.

Në një konferencë për shtyp më pas, Rutte u përball me një pyetje kritike: “A nuk është kjo pak poshtëruese dhe nuk ju bën të dukeni të dobët?”

Ai u përgjigj: “Jo, nuk mendoj kështu. Mendoj se është një çështje shijeje. Por ai është një mik i mirë, dhe kur bën gjëra që na detyrojnë të veprojmë, si për shembull në rritjen e investimeve, a do të mendonit ndonjëherë se ky do të ishte rezultati i këtij samiti po të mos ishte rizgjedhur president?”

Rutte shtoi se Trump meriton “gjithë vlerësimin” për vendimin për të bombarduar Iranin, duke e cilësuar si një veprim vendimtar.

Më tej, u bë e ditur se në një mesazh privat që Trump e publikoi më vonë, Rutte kishte shprehur admirimin e tij për sulmet ajrore të presidentit amerikan: “Ishte me të vërtetë e jashtëzakonshme dhe diçka që askush tjetër nuk guxoi ta bënte.”

Këto deklarata vijnë në një moment kur Trump po luan një rol gjithnjë e më të drejtpërdrejtë në çështjet ndërkombëtare, përfshirë konfliktin në Lindjen e Mesme.