
Anëtarët e NATO-s kanë rënë dakord që deri në vitin 2035 të rrisin shpenzimet për mbrojtje dhe siguri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke e përfshirë këtë objektiv në një deklaratë zyrtare të quajtur “Deklarata e Hagës”.
Aktualisht, objektivi për shpenzimet bazë të mbrojtjes është 2% e PBB-së, një prag që disa vende anëtare ende nuk e kanë arritur në vitin 2024.
Në deklaratë, aleatët theksojnë: “Riafirmojmë angazhimin tonë të hekurt ndaj mbrojtjes kolektive, siç është përcaktuar në nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit – që një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve.”
Kjo deklaratë vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump hodhi hije dyshimi mbi konceptin e mbrojtjes kolektive, duke thënë gjatë rrugës për në samitin e Hagës: “Ka shumë përkufizime të nenit 5, e dini këtë apo jo?”
Sipas BBC objektivi i ri 5% përfshin jo vetëm shpenzimet për ushtrinë tradicionale, por edhe investime në siguri më të gjerë, përfshirë teknologji, mbrojtje kibernetike, infrastrukturë kritike dhe kapacitete të reja përballë kërcënimeve hibride.
Ky vendim shënon një nga ndryshimet më të mëdha të strategjisë financiare të NATO-s në dekada dhe vjen në një kohë tensionesh të shtuara globale dhe shqetësimesh në rritje për besueshmërinë e mbrojtjes kolektive mes vendeve aleate.