
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka reaguar publikisht këtë të hënë lidhur me kontratën e sterilizimit, për të cilën është përfolur gjatë në opinionin publik dhe mediatik.
Në një deklaratë të gjatë dhe të argumentuar, Beqaj e cilëson këtë kontratë si efikase dhe me ndikim konkret në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, ndërsa mohon një sërë akuzash që, sipas tij, nuk mbështeten në të dhëna reale.
“Kontrata ka kontribuar jo vetëm në rritjen e aksesit në shërbime shëndetësore falas, por edhe në rritjen e efikasitetit të sistemit, përmes shkurtimit të kohës së shërbimit për pacientin dhe lirimit më të shpejtë të kapaciteteve spitalore”, deklaron Beqaj.
Ai kritikon atë që e quan “monitorim i ngarkuar dhe i pasaktë”, i kthyer, sipas tij, në një “sport kombëtar” që nuk merr parasysh faktet dhe shifrat reale, por mbështetet në keqinterpretim të qëllimshëm.
Tetë të pavërteta, sipas Beqajt
Në deklaratën e tij, Beqaj rendit tetë “të pavërteta” të përhapura publikisht mbi kontratën e sterilizimit:
- Emërtimi i kontratës – Beqaj sqaron se kontrata nuk quhet “e sterilizimit”, por ka të bëjë me furnizimin e setit të personalizuar të instrumentave kirurgjikale, sipas një modeli italian.
- Kosto e tejkaluar – Ai hedh poshtë pretendimin se janë shpenzuar 50% më shumë se vlera fillestare, duke theksuar se deri më tani janë përdorur 11.6 miliardë lekë, nga 15 miliardë të përmendura shpesh. Deri në përfundim të saj pritet të shpenzohen rreth 13 miliardë lekë.
- Tejkalimi i vlerës së kontratës – Sipas Beqajt, nuk është tejkaluar vlera, por numri i ndërhyrjeve, që ka shkuar nga 50 mijë në 65 mijë në vit, duke gjeneruar pagesa më të larta në mënyrë proporcionale.
- TVSH si pjesë e kontratës – Ai kujton se në çdo kontratë publike, TVSH nuk përfshihet në vlerën e kontratës dhe konsideron të pasakta akuzat që e kundërshtojnë këtë.
- Llogaritjet në euro – Beqaj kritikon përdorimin e kursit të këmbimit për të manipuluar vlerën e kontratës, duke e cilësuar si një “manipulim bazik financiar”.
- Mungesa e monitorimit të efekteve – Sipas tij, një nga përfitimet më të rëndësishme ka qenë ulja e ditëve të qëndrimit në spital nga 6.5 në 4.8 ditë për pacient të operuar, duke rezultuar në më shumë pacientë të operuar dhe më pak ditë të konsumuar.
- Mospërllogaritja e impaktit ekonomik – Beqaj thotë se janë kursyer mbi 100 mijë ditë paaftësie për punë dhe janë shtuar rreth 55 mijë ditë kontribut në ekonomi, një përfitim konkret për shoqërinë.
- Infeksionet dhe përdorimi i antibiotikëve – Ai e quan “dembelizëm” mungesën e përpjekjeve për të marrë të dhënat nga ISHP, duke nënvizuar se informacioni ekziston dhe mund të konsultohet nga kushdo.
“Shumë monitorues, pak monitorim”
Në përmbyllje të deklaratës, Beqaj kritikon qasjen që sipas tij e zëvendëson analizën me propagandën dhe qëllimin për të diskredituar.
Ai thekson se “mashtrimi më i madh është ai që tingëllon i besueshëm” dhe nënvizon se në debatin publik ka më shumë zhurmë se sa fakte reale.
“Monitorimi serioz nuk është as memec, as propagandistik. Është akt profesional dhe përgjegjës. Dhe nëse nga monitorimi nuk nxjerr të vërteta, por vetëm klishe, atëherë nuk je duke monitoruar – je duke keqinformuar,” përfundon ish-ministri.
Deklaratë publike e Ilir Beqajt
Në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të z. Ilir Beqaj, në emër të tij po përcjell këtë deklarim publik:
———————————————–
Monitorimi si sport kombëtar
Nga Ilir Beqaj
Fjala “monitorim” është bërë kaq e zakonshme në diskursin publik sa shpesh harron kuptimin e vet. Për ta qartësuar në fillim: monitorimi është një akt sistematik vëzhgimi, për të ndjekur ecurinë, performancën apo përmbushjen e një angazhimi konkret.
Në thelb, është një proces serioz, që kërkon kompetencë, qartësi dhe ndershmëri. Por në Shqipëri, monitorimi shpesh bëhet “me sy të lirë” dhe “me mendje të ngarkuar”.
Prej nëntë vitesh është kthyer në interes publik ajo që ndryshe quhet “kontrata e sterilizimit”. Madje, monitorimi i kësaj kontrate është shndërruar në një lloj sporti kombëtar, ku shumë garojnë për të nxjerrë rekordin e radhës të keqinterpretimit. Nuk ka rëndësi as objekti i kontratës, as shifrat reale, as rezultatet faktike. Mjafton një e pavërtetë që të përsëritet aq shpesh sa të duket si e vetmja e vërtetë.
Për të kthyer debatin në shinat e arsyes, më lejoni të rendis disa nga këto të pavërteta të monitoruara publikisht, që janë bërë tashmë si refren:
E pavërteta nr. 1: Kontrata e sterilizimit.
Në fakt, kontrata as që ka emër të tillë. Objekt i saj është “furnizimi i setit të personalizuar të instrumentave kirurgjikale”. Si shumë gjëra që huazojmë nga Italia, edhe kjo kontratë ndjek modelin e “gestione integrata dello strumentario chirurgico”. Kush ka sy të lexojë, le ta lexojë.
E pavërteta nr. 2: Janë shpenzuar 50% më shumë se vlera fillestare.
Nga dhjetori 2015 deri më 30 prill 2025 janë shpenzuar 11.6 miliardë lekë – shumë më pak se 15 miliardë, që përmendet shpesh si “shifra e tmerrit”. Deri në fund të kontratës, shpenzimet nuk pritet të kalojnë 13 miliardë.
E pavërteta nr. 3: Është tejkaluar vlera e kontratës.
Në të vërtetë, është tejkaluar sasia e ndërhyrjeve kirurgjikale. Kontrata parashikonte 50 mijë operacione në vit, ndërkohë që janë realizuar rreth 65 mijë – një rritje prej 30%. Dhe, për habinë e monitoruesve, kur rritet sasia e shërbimit, rritet proporcionalisht edhe pagesa. Pra, nuk është çështje abuzimi, por çështje aritmetike.
E pavërteta nr. 4: TVSH përfshihet në koston e kontratës.
Në çdo kontratë publike, TVSH nuk përfshihet në vlerën e kontratës – kjo është elementare. Po si t’ua thuash monitoruesve që nuk lexojnë as titullin e kontratës?
E pavërteta nr. 5: Vlera në lekë është rritur se tani përkthehet në euro.
Sipas kësaj logjike, çdo gjë që ka ndodhur para rritjes së euros duhet të quhet e fryrë. Nëse një kontratë është në një monedhë të caktuar, çdo referim dhe monitorim duhet bërë në atë monedhe. Përndryshe, nëse një kontratë ka qenë 140 lekë (1 euro) kur euro ishte 1 me 140, sot të thuash se është bërë 1.4 euro apo 40 % më shumë është manipulim bazik financiar.
E pavërteta nr. 6: Nuk ka monitorim të efekteve reale të kontratës.
Një nga përfitimet më të rëndësishme të kontratës për furnizimin me sete të personalizuara kirurgjikale ka të bëjë me ndikimin që ajo ka pasur në dita-mesatare të qëndrimit në spital, një indikator kyç i performancës së sistemit shëndetësor.
Në vitin 2013, pra para zbatimit të kontratës, dita mesatare e qëndrimit për një pacient të operuar në spital ishte 6.5 ditë. Në vitin 2024, pas tetë viteve zbatim, ajo ka rënë në 4.8 ditë.
Ulja është 1.7 ditë për çdo pacient, çka përbën një arritje domethënëse për efikasitetin e kujdesit spitalor.
Kjo ulje vjen në një kohë kur është rritur ndjeshëm edhe numri i ndërhyrjeve kirurgjikale të realizuara në sistemin publik. Kontrata parashikonte furnizimin për 50,000 ndërhyrje në vit, ndërsa në vitin 2024 janë realizuar 65,000 ndërhyrje – 30% më shumë se sa angazhimi fillestar.
Dhe ja rezultati konkret:
– Në 2013: 50,000 pacientë × 6.5 ditë = 325,000 ditë qëndrimi spitalor
– Në 2024: 65,000 pacientë × 4.8 ditë = 312,000 ditë qëndrimi spitalor
Pra, janë operuar 15,000 pacientë më shumë, por janë konsumuar 13,000 ditë më pak qëndrimi në spitale publike.
Kjo është prova që kontrata ka kontribuar jo vetëm në rritjen e aksesit në shërbime shëndetësore falas, por edhe në rritjen e efikasitetit të sistemit, përmes shkurtimit të kohës së shërbimit për pacientin dhe lirimit më të shpejtë të kapaciteteve spitalore.
Por askush nga “monitoruesit” nuk është lodhur t’i mbledhë këto shifra. Askush nuk ka pyetur se çfarë efekti ka pasur kontrata në shpejtësinë e trajtimit, në menaxhimin e kapaciteteve, në reduktimin e infeksioneve, apo në përdorimin e antibiotikëve. Ata nuk i intereson përmirësimi i rezultateve shëndetësore. U mjafton të përsërisin të pavërteta në mënyrë ciklike.
Në vend që të përgëzohet fakti që më shumë njerëz janë shërbyer më shpejt dhe më mirë, ky realitet anashkalohet me një padurim të qëllimshëm për të mos parë të mirën.
E pavërteta nr. 7: Nuk përllogaritet impakti ekonomik.
Duke qëndruar 1.7 ditë më pak në spital, janë kursyer mbi 100 mijë ditë paaftësie për punë dhe janë shtuar rreth 55 mijë ditë kontribut në ekonomi. Le t’i ftojmë monitoruesit të bëjnë më në fund edhe njëherë llogaritjet, por këtë herë për përfitimet.
E pavërteta nr. 8: Askush nuk ka monitoruar infeksionet dhe përdorimin e antibiotikëve.
Kjo është thjesht dembelizëm. Le të shkojnë njëherë në Institutin e Shëndetit Publik dhe të marrin të dhënat. Po të duan vërtet të monitorojnë.
Në fund të ditës, monitorimi serioz nuk është as memec, as propagandistik. Është akt profesional dhe përgjegjës. Dhe nëse nga monitorimi nuk nxjerr të vërteta, por vetëm klishe, atëherë nuk je duke monitoruar – je duke keqinformuar. Dhe kjo është më e rrezikshme se mosinformimi.
Sepse siç thotë një thënie e vjetër, “mashtrimi më i madh është ai që tingëllon i besueshëm”. Kjo është ajo që po na ndodh: shumë zhurmë, pak fakte – shumë monitorues, pak monitorim.