Vendosni fjalën kyçe....

IDF: Izraeli mund të mbyllë sulmet ndaj Iranit brenda pak ditësh, pavarësisht intensifikimit të goditjeve


Pavarësisht bombardimeve dramatike të Shteteve të Bashkuara në tri objektet bërthamore iraniane dhe sulmeve gjithnjë e më të shpeshta nga Izraeli, burime të mbrojtjes i thanë të hënën mbrëma The Jerusalem Post se Tel Avivi synon të përfundojë fushatën ushtarake ndaj Teheranit “brenda disa ditësh”.

Kjo qasje ngre pikëpyetje mbi qëllimin përfundimtar të sulmeve aktuale, nëse nuk do të zgjasin aq sa të arrijnë një objektiv më konkret përtej goditjeve madhore të 13 qershorit dhe operacionit amerikan të fundit që shkatërroi tre objektet kryesore bërthamore të Iranit në Fordow, Natanz dhe Isfahan. Ende ekzistojnë dyshime nëse objekti në Fordow u shkatërrua plotësisht apo vetëm pjesërisht.

Izraeli, përveç objektivave madhore, ka goditur edhe dhjetëra objekte më të vogla të infrastrukturës bërthamore iraniane, ka eliminuar rreth një duzinë shkencëtarësh bërthamorë dhe ka shkatërruar rreth dy të tretat e lëshuesve të raketave balistike të Republikës Islamike si dhe një pjesë të madhe të zinxhirit të prodhimit të raketave.

Ushtria izraelite gjithashtu konfirmoi se më 13 qershor kishte vrarë nëntë nga trembëdhjetë drejtuesit kryesorë ushtarakë dhe të inteligjencës së Iranit. Së fundmi, Izraeli ka kaluar në fazën e goditjes së strukturave të pushtetit të brendshëm të regjimit, si Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike dhe milicia Basij.

Megjithatë, disa ditë të tjera sulmesh ka gjasa të mos jenë të mjaftueshme për rrëzimin e regjimit, edhe pse disa analistë mendojnë se efektet e deritanishme mund të kenë fuqizuar opozitën iraniane për të sfiduar autoritetin e Ajatollah Ali Khamenei.

Sipas burimeve fillestare që dolën përmes The Wall Street Journal, Izraeli po shqyrton mbylljen e operacionit të tij ushtarak. Por ndërkohë, sulmet janë intensifikuar, me më shumë se 100 municione të hedhura nga Forcat Ajrore izraelite të hënën.

Zëdhënësi i IDF, gjeneral brigade Effie Defrin, i pyetur të hënën mbrëma për fundin e mundshëm të fushatës, nuk e mohoi por as nuk e konfirmoi, duke thënë vetëm se IDF ka objektiva të mjaftueshëm për të vazhduar sulmet për aq kohë sa qeveria e kërkon.