
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar sot se një video tronditëse që dëshmon manipulimet në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri është shfaqur në grupin parlamentar të Partisë Popullore Europiane në Këshillin e Europës.
Në një deklaratë për mediat, Berisha bëri të ditur se përfaqësuesit e PD-së kanë zhvilluar një ofensivë të gjerë diplomatike në Bruksel dhe Strasburg për të denoncuar, sipas tij, farsën elektorale në Shqipëri, të cilën e krahasoi me zgjedhjet në Zimbabve tri dekada më parë.
Sipas tij, deputetët demokratë Oerd Bylykbashi, Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Ina Zhupa dhe Albana Vokshi paraqitën fakte dhe argumente që tregojnë, siç u shpreh ai, se qeveria Rama është “armike e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve”.
Berisha theksoi se videoja e paraqitur nga deputetja Albana Vokshi në grupin parlamentar të Partisë Popullore Europiane ishte “shokuese për audiencën” dhe se pamjet ilustruan qartë pse zgjedhjet e 11 majit ishin një farsë.
Ai tha gjithashtu se raporti i përgatitur nga delegacioni vëzhgues i Këshillit të Europës, i drejtuar nga eurodeputeti Simone Billi, është diskutuar sot në grupet parlamentare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe pritet të kalojë për miratim në seancën plenare.
“Java që lamë pas ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për ne. Përfaqësuesit tanë në Komitetin e Stabilizim-Asociimit të Parlamentit Europian, nënkryetarët Oerd Bylykbashi dhe Agron Gjekmarkaj, kryetari i grupit parlamentar Gazment Bardhi, kryetarja e Komisionit për Integrimin Jorida Tabaku, kryetarja e Komisionit të Kulturës Ina Zhupa, deputeti Korreshi dhe deputetja Zheni Gjergji paraqitën të vërtetën për zgjedhjet në aulën e tempullit të demokracisë”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se prania e delegacioneve më të mëdha vëzhguese të Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës në Shqipëri tregon shqetësimin e thellë për standardet demokratike në vend. Megjithatë, Berisha tha se komentet më të plota për raportin do t’i japë pas miratimit zyrtar në Asamblenë Parlamentare.
“Raporti i delegacionit vëzhgues rreshton një listë të gjerë problemesh, përfshirë manipulime, mashtrime dhe blerje votash. Ky është një dokument që dëshmon se zgjedhjet në Shqipëri nuk i kanë përmbushur standardet europiane”, theksoi ai.