
Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi akuzoi ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, shtabin e saj dhe policinë e shtetit për intimidim të kandidatëve të PD-së dhe qytetarëve në qarkun e Fierit në zgedhjet e 11 majit.
I ftuar në “Log” në News24, Bardhi tha se policia dhe segmente të prokurorisë jo vetëm që nuk kishin qenë të paanshëm në fushatë por kishin marrë pjesë aktivisht duke mbledhur vota për PS-në.
“Ajo që kishim thënë para zgjedhjeve, që të ketë mundësi për një rezultat të drejtë duhet të ketë zgjedhje të drejta. Ajo e 11 majit nuk ishtë garë e drejtë dhe këto nuk janë më pretendimet e opozitës. Ne nuk kishim përballë një parti konkurrente por shtetin dhe anët e errëta të shtetit. Nuk përballohet të qenit bashkë krimi, policia dhe segmente të caktuara të Prokurorisë. Nuk bëhet garë në këto kushte. Nëse unë kam përballë një bandë dhe të marr armën e të bëhem si banda? Por nëse institucioni është palë në garë përballë meje, atëherë mund të keni një ide se çfarë ka qenë 11 maji. Policia ishte në shërbim të PS. Kandidatët tanë janë intimiduar nga policia, por edhe krimi. Po flas për qarkun Fier, por besoj se ka ndodhur edhe në rang kombëtar. Ka pasur intimidime të kandidatëve tanë nga policia e shtetit. Policia e shtetit kishte hequr kapelen dhe kishtë dalë të mblidhte vota për PS-në. Nuk bëmë dot një fushatë si duhet me takime masive sepse ishte e pamundur të bëje grumbullime të mëdha sepse kushdo që vinte në takime kërcënohej nga shtabi i Belinda Ballukut në qarkun e Fierit. Në këto rrethana ne ndërruam strategji duke bërë takime derë më derë. Sapo bënim një takim, qytetarëve u shkonte një bandë prej 20 policësh dhe i pyesnin çfarë donin kandidatët e PD-së në shtëpinë tuaj.” – tha kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi.