Vendosni fjalën kyçe....

“Paqe përmes forcës”- SHBA sulmon Iranin, Netanyahu: Vendimi juaj do të ndryshojë rrjedhën e historisë


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar per sulmin amerikan ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke e cilësuar si një “sulm shumë të suksesshëm” dhe ka lavdëruar Presidentin Donald Trump për një “vendim të guximshëm që do të ndryshojë historinë”.

“Unë dhe Presidenti Trump shpesh themi: ‘Paqe përmes forcës’. Së pari vjen forca, pastaj paqja. Dhe sonte, Donald Trump dhe Shtetet e Bashkuara vepruan me shumë forcë,” u shpreh Netanyahu në një  video-deklaratë, pas goditjes së tri qendrave kryesore bërthamore iraniane: Fordow, Natanz dhe Esfahan.

Presidenti Trump deklaroi për “Fox News” se në kompleksin e Fordow u hodhën gjashtë bomba kundër bunkerëve, ndërsa 30 raketa Tomahawk u lëshuan drejt dy lokacioneve të tjera.

“Urime, President Trump. Vendimi juaj i guximshëm për të goditur objektet bërthamore të Iranit me fuqinë e jashtëzakonshme dhe të drejtë të SHBA-ve do të ndryshojë rrjedhën e historisë,” tha Netanyahu. Ai shtoi se, në kuadër të operacionit “Rising Line”, “Izraeli ka kryer veprime të jashtëzakonshme, por sulmi i mbrëmjes së sotme nga Amerika ishte i pakrahasueshëm – asnjë vend tjetër në botë nuk mund të kishte bërë atë që bëri SHBA-ja.”

Netanyahu vlerësoi lidershipin e Trump duke thënë se ka krijuar një “bosht historik që mund të udhëheqë Lindjen e Mesme dhe më gjerë drejt një të ardhmeje më të qetë dhe të begatë”.

“Zoti e bekoftë Amerikën. Zoti e bekoftë Izraelin. Zoti e bekoftë aleancën tonë të palëkundur dhe besimin tonë të pathyeshëm,” përfundoi ai./NDTV