
Ministri indian i Naftës, Hardeep Singh Puri, deklaroi të dielën se India do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur furnizimin e brendshëm me karburant, pas sulmeve të SHBA-së mbi objektet bërthamore të Iranit që kanë rritur rrezikun e ndërprerjes së furnizimeve me naftë dhe gaz nga Lindja e Mesme, si dhe të rritjes së çmimeve të energjisë, përcjell JP.
Tregjet e energjisë dhe investitorët janë në gjendje alarmi që prej 13 qershorit, kur Izraeli ndërmori sulme ajrore në të gjithë Iranin. Shqetësimi kryesor është mundësia e ndërprerjeve në ngushticën e Hormuzit, ku kalon rreth 20% e konsumit global të naftës dhe gazit.
Irani ka kërcënuar prej vitesh me mbylljen e kësaj rruge strategjike për të ushtruar presion ndaj Perëndimit.
“Po monitorojmë me kujdes situatën gjeopolitike në zhvillim në Lindjen e Mesme prej dy javësh… kemi diversifikuar burimet tona të furnizimit në vitet e fundit dhe një pjesë e madhe e tyre tashmë nuk kalojnë nga ngushtica e Hormuzit,” shkroi Puri në platformën X.
Ai shtoi se kompanitë shtetërore të marketingut të naftës në Indi kanë rezerva për disa javë dhe vijojnë të marrin furnizime nga disa rrugë të ndryshme. “Do të marrim çdo masë të nevojshme për të garantuar stabilitetin e furnizimeve me karburant për qytetarët tanë,” u shpreh ai.
India është importuesja e tretë më e madhe në botë e naftës dhe konsumon mesatarisht 4.8 milionë fuçi në ditë, nga të cilat më pak se gjysma vijnë nga Lindja e Mesme.
Në një deklaratë të veçantë për agjencinë indiane të lajmeve ANI, Puri tha se India do të rrisë importet e naftës nga burime të tjera nëse do të jetë e nevojshme. “Jemi në kontakt me të gjithë aktorët e mundshëm… Shpresa jonë është që situata të qetësohet dhe të mos përshkallëzohet më tej,” theksoi ai.
Më herët gjatë ditës, Kryeministri indian Narendra Modi zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin iranian Masoud Pezeshkian, i cili e informoi për përshkallëzimin e konfliktit me Izraelin, bëri të ditur Ministria e Jashtme indiane.