
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar ashpër ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të LSI-së, Endrit Braimllari, duke e akuzuar këtë të fundit për përgjegjësi të drejtpërdrejtë në çështjen e lobimeve që po hetohet nga SPAK.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta deklaron se ai ndodhet në “izolim ekstrem” për firmat e Braimllarit, ndërkohë që ky i fundit “gradohet” nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.
“Vetëm një ‘rilindas’ mund të harrojë firmat që ka hedhur vetë dhe arsyet për të cilat i ka hedhur. Një gënjeshtar ordiner, që përpiqet të fshihet pas harresës, por e vërteta nuk fshihet as me lojëra fjalësh, as me konvertim teserash partie,” shkruan Meta.
Ai thekson se në periudhën kur janë firmosur marrëveshjet për lobimin në emër të LSI-së, konkretisht në vitet 2018–2019, ai mbante detyrën e Presidentit të Republikës dhe nuk kishte asnjë rol drejtues në LSI.
“Firma për lobimet e LSI-së në periudhën 2018–2019 është e Endrit Braimllarit. Në atë kohë, unë nuk isha kryetar i LSI-së, por President i Republikës,” thekson Meta.
Ai akuzon Braimllarin si shembull të transformimit të njerëzve “pa karakter” në pjesë të asaj që Meta e quan “Rilindja”, duke e cilësuar si një gënjeshtar që përpiqet të fshihet pas amnezisë politike.
“Endrit Braimllari është shembulli më i gjallë i mënyrës se si SPAK-u arrin t’i konvertojë njerëzit pa karakter në ‘rilindas’ të denjë – gënjeshtarë,” shkruan më tej Meta.
Në fund të reagimit të tij, Meta vë në pikëpyetje edhe qëndrimet zyrtare të SPAK, duke aluduar në mundësinë që vetë kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, të ketë gënjyer në dokumentet zyrtare.
Ky reagim vjen një ditë pasi Endrit Braimllari deklaroi publikisht se nuk ka asnjë lidhje me dosjen që po heton SPAK për lobimet e LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.