Vendosni fjalën kyçe....

Tre të kërkuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje ekstradohen nga Dubai në Tiranë


Nën masa të rrepta sigurie dhe me praninë e forcave speciale RENEA në aeroportin e Rinasit, janë ekstraduar nga Dubai në Tiranë tre shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të akuzuar për vepra të rënda penale dhe pjesëmarrje në grupe kriminale të strukturuara.

Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika mbërritën në Shqipëri të shoqëruar me pranga dhe nën mbikëqyrje të fortë policore.

Të tre të ekstraduarit janë nën masën e sigurisë “arrest në burg”, të vendosur nga Gjykata e Posaçme (GJKKO) për veprat penale që përfshijnë tentativa vrasjeje me paramendim, sigurim kushtesh për krim, armëmbajtje pa leje dhe përkrahje të autorëve të krimeve – të gjitha të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Njoftimi i policisë: 

Në vijim të bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar:  

-E. D., 38 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;

-M. K., 39 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;

-A. Xh., 40 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.