
Të premten, udhëheqësit e Kinës dhe Zelandës së Re zhvilluan një takim për të diskutuar rëndësinë e tregtisë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa Zelanda e Re theksoi gjithashtu angazhimin e saj për paqen dhe sigurinë në rajonin e Paqësorit, sipas deklaratave zyrtare të të dyja qeverive.
Presidenti kinez Xi Jinping priti Kryeministrin e Zelandës së Re, Christopher Luxon, në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin, në një kohë kur ndikimi i Kinës në Paqësor po rritet ndjeshëm, duke sfiduar praninë tradicionale të vendeve perëndimore në çështjet e sigurisë në këtë rajon.
Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Kinë që prej marrjes së detyrës në nëntor 2023, Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, theksoi rëndësinë e stabilitetit dhe reduktimit të tensioneve në rajonin Indo-Paqësor. Ai nënvizoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të vendit të tij për prioritetet që vijnë nga vetë shtetet e Paqësorit, sipas një deklarate nga qeveria e Zelandës së Re.
Luxon e cilësoi si “konstruktiv” takimin me Presidentin kinez Xi Jinping, udhëheqësin e partnerit më të madh tregtar të Zelandës së Re. Në një postim në rrjetin social X, ai tha: “Diskutuam thellësinë e marrëdhënieve mes Zelandës së Re dhe Kinës – nga tregtia dhe lidhjet njerëzore, deri te përgjegjësitë tona të përbashkëta globale. Në një botë komplekse, dialogu i hapur është më i rëndësishëm se kurrë.”
Constructive meeting with President Xi at the Great Hall of the People in Beijing today.
We discussed the depth of the NZ-China relationship – from trade and people-to-people ties to our shared global responsibilities.
In a complex world, open dialogue is more important than… pic.twitter.com/FxyqauWpH7
— Christopher Luxon (@chrisluxonmp) June 20, 2025
Këto zhvillime vijnë në një kohë kur Zelanda e Re ka shprehur shqetësim për nënshkrimin e disa marrëveshjeve nga Ishujt Kuk me Kinën, pa konsultim paraprak me Wellingtonin. Marrëveshjet përfshijnë fusha si ekonomia, infrastruktura dhe shfrytëzimi i burimeve minerare në shtratin e detit. Ishujt Kuk kanë një lidhje kushtetuese me Zelandën e Re.
Gjatë vizitës së tij në Kinë, Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, riafirmoi mbështetjen për Forumin e Ishujve të Paqësorit, një organizatë ndërqeveritare që promovon bashkëpunimin mes vendeve dhe territoreve të rajonit oqeanik.
Presidenti kinez Xi Jinping, pa iu referuar çështjeve konkrete, u bëri thirrje Kinës dhe Zelandës së Re që të kërkojnë pikëtakime të përbashkëta. “Nuk ka mëri historike apo konflikte interesi midis Kinës dhe Zelandës së Re, ndaj duhet të respektojmë njëri-tjetrin dhe të kërkojmë terren të përbashkët,” tha Xi, sipas agjencisë shtetërore kineze Xinhua.
Gjatë vizitës katërditore që përfshiu Pekinin dhe qendrën tregtare të Shangait, Luxon theksoi një axhendë të orientuar drejt forcimit të lidhjeve në fushat e biznesit, turizmit dhe arsimit, raporton Reuters.
Presidenti Xi u shpreh gjithashtu për gatishmërinë e Kinës për të thelluar bashkëpunimin tregtar dhe investimet me Zelandën e Re, duke përmendur edhe mundësitë e bashkëpunimit në fushat e shkencës, teknologjisë, ndryshimeve klimatike dhe infrastrukturës fusha që përputhen me prioritetet e shpallura nga kryeministri Luxon.