
Administrata Trump po i jep fund financimit për një linjë telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve LGBT, e cila sipas saj nxit “ideologjinë radikale gjinore”, një veprim që projekti që drejton shërbimin e quajti “shkatërrues”.
Projekti Trevor, një organizatë jofitimprurëse që ofron mbështetje falas dhe të specializuar për të rinjtë LGBT, tha të mërkurën se linja e saj telefonike do mbyllet së shpejti si rezultat i mosrinovimit të financimit, shkruan Reuters.
“Jam i shkatërruar dhe me zemër të thyer. @TrevorProject mori njoftim zyrtar se administrata Trump ka urdhëruar mbylljen e linjës kombëtare të ndihmës për vetëvrasjet e të rinjve LGBTQ+ brenda 30 ditësh”, tha kreu i Trevor Project, Jaymes Black, në një deklaratë në Instagram.
Një zëdhënës i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit të Shtëpisë së Bardhë tha se financimi do vijojë për 988 Lifeline, një linjë telefonike më të gjerë për parandalimin e vetëvrasjeve.
“Buxheti i presidentit financon 988 Lifeline me 520 milionë dollarë, e njëjta shumë që është dhënë edhe nga administrate Biden. Megjithatë, ai nuk jep paratë e taksapaguesve për një shërbim bisede ku fëmijët inkurajohen të përqafojnë ideologjinë radikale gjinore nga ‘këshilltarët’ pa pëlqimin ose dijeninë e prindërve të tyre”, shtoi zëdhënësi.
Që nga marrja e detyrës në janar, Trump ka nënshkruar disa urdhra ekzekutivë që synojnë kufizimin e të drejtave transgjinore dhe çmontimin e praktikave të larmishmërisë, barazisë dhe përfshirjes në qeveri dhe sektorin privat. Administrata Trump thotë se hapa të tillë rivendosin drejtësinë, por avokatët e të drejtave civile dhe LGBT thonë se i lënë grupet e margjinalizuara më të prekshme.