
Qeveria çeke e qendrës së djathtë i mbijetoi një vote mosbesimi, e nisur nga opozita pasi pranimi i një pagese për shtetin nga një ish-i dënuar me vlerë 45 milionë dollarë në Bitcoin shkaktoi polemika brenda koalicionit qeverisës muaj para zgjedhjeve.
Partia më e madhe e opozitës, ANO, e cila kryeson sondazhet e opinionit përpara zgjedhjeve të 3-4 tetorit, kishte ngritur një mocion mosbesimi kundër qeverisë së kryeministrit Petr Fiala, duke e akuzuar atë se po ndihmon ish-kriminelin kibernetik të legjitimojë zotërimet e tij në Bitcoin me origjinë potencialisht të paligjshme, shkruan Reuters.
Mocioni dështoi pas dy ditësh debati në dhomën e ulët, ku koalicioni qeverisës i Fialës, i udhëhequr nga Partia e tij Demokratike Qytetare, mban shumicën.
Veterani politik Pavel Blazek, nga partia e Fialës, dha dorëheqjen si ministër i Drejtësisë më 31 maj për pranimin e pagesës në emër të shtetit, megjithëse mohoi të ketë bërë diçka të paligjshme.
Fiala e ka quajtur pranimin e dhuratës një gabim politik dhe etik.
Burri që bëri dhurimin e 468 bitcoin-ëve për shtetin ishte në burg nga viti 2017 deri në vitin 2021 pasi u dënua për përfshirje në tregtinë e drogës, mashtrim dhe zotërim të paligjshëm të armëve për drejtimin e një tregu të paligjshëm droge në internet të quajtur Sheep Marketplace.
Blazek është përballur me kritika për legjitimimin e mundshëm të pasurive të ish-të dënuarit, në vend që t’i drejtohej prokurorëve ose policisë për t’i siguruar ato.
Nuk ishte e qartë se cili ishte motivimi i ish-të dënuarit për të bërë dhurimin.