
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të mërkurën se “java e ardhshme do të jetë shumë e madhe” në lidhje me situatën me Iranin, duke lënë të hapur mundësinë që SHBA të përfshihet ushtarakisht në mbështetje të Izraelit, përcjell The Telegraph.
“Java tjetër do të jetë vendimtare për Iranin – dhe mund të ndodhë edhe para përfundimit të javës,” tha Trump për gazetarët nga Lëndina Jugore e Shtëpisë së Bardhë, kur u pyet nëse SHBA do t’i bashkohej veprimeve ushtarake të Izraelit kundër Iranit.
“Mund të veproj, mund edhe të mos veproj. Askush nuk e di çfarë do të bëj. Por një gjë mund t’ua them: Irani ka shumë probleme,” shtoi ai, duke sugjeruar se vendimi për një ndërhyrje ushtarake është në tryezë.
Sipas burimeve të afërta me administratën, Trump po shqyrton mbështetjen e sulmeve izraelite ndaj objektivit bërthamor nëntokësor në Fordow, i cili deri tani nuk është goditur nga bombardimet.
Ndërkohë, kryeministri britanik pritet të zhvillojë sot diskutime për mënyrën e reagimit në rast se Trump kërkon mbështetje nga Mbretëria e Bashkuar për sulme ajrore ndaj Iranit.
Trump gjithashtu tha se Irani ka shprehur interes për negociata dhe ka ofruar të vizitojë Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, ai shprehu pakënaqësi që kontaktet nuk u bënë më herët:
“Irani ka shumë telashe dhe kërkon të negociojë,” tha Trump. “Dhe unë i thashë: pse nuk negociuat më parë, para gjithë kësaj vdekjeje dhe shkatërrimi? Pse nuk erdhët atëherë?”