
Ish-presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner, do vuajë një dënim gjashtëvjeçar për akuza korrupsioni në arrest shtëpiak, vendosi një gjykatës federal të martën.
Gjykata vendosi që vendosja e 72-vjeçares Kirchner në arrest shtëpiak ishte e përshtatshme, duke përmendur moshën dhe rëndësinë e saj si figurë politike, shkruan AA.
Gjykata gjithashtu iu referua shqetësimeve të sigurisë, duke vënë në dukje mbijetesën e Kirchner nga një atentat në vitin 2022, dhe tha se siguria e saj “do ndërlikohej shumë në burg “.
Sipas vendimit, Kirchner duhet të fillojë të vuajë dënimin e saj menjëherë. Ajo do mbikëqyret elektronikisht dhe do mbetet e mbyllur në apartamentin e saj në kryeqytetin Buenos Aires, ku banon me vajzën dhe mbesën e saj.
Gjykata urdhëroi që Kirchner “duhet të qëndrojë në adresën e regjistruar, një detyrim që ajo nuk mund ta shkelë përveç në raste të jashtëzakonshme”.
Ajo shtoi se çdo vizitor i ardhshëm në apartament, përveç stafit shtëpiak, personelit mjekësor dhe individëve të tjerë të autorizuar, duhet së pari të marrë miratimin e gjykatës.
Kirchner u dënua fillimisht në vitin 2022 me gjashtë vjet burg dhe iu ndalua përgjithmonë të mbante poste publike për korrupsion. Megjithatë, ajo kishte mbetur e lirë në pritje të shqyrtimit të apelit të saj nga Gjykata e Lartë.
Ish-Presidenti Carlos Menem vdiq para se të vuante një dënim me shtatë vjet burg në rastin e shitjes së paligjshme të armëve në Ekuador dhe Kroaci dhe ai vuajti vetëm rreth gjashtë muaj paraburgim në vitin 2001.