
Në mbledhjen e 19-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian, mbajtur në Strasburg, ministri i Shtetit Taulant Balla ka theksuar se puna për reformën zgjedhore duhet të rinisë me prioritet në shtator, duke e konsideruar këtë si një detyrim politik për të garantuar procese zgjedhore më të besueshme dhe gjithëpërfshirëse.
“Duke nisur nga shtatori, sapo nis legjislatura e re, ne gjithmonë e ndërmarrim. Por këtë herë duhet ta bëjmë patjetër. Dhe sigurisht, me konsensus, ashtu siç gjithmonë kërkohet për reformën zgjedhore,” tha Balla.
Ai theksoi se reforma duhet të përfshijë domosdoshmërisht edhe parashikimet për zgjedhjen e anëtarëve të ardhshëm të Parlamentit Evropian dhe depolitizimin e komisioneve zgjedhore në nivelet e dyta dhe të treta.
Një ndër çështjet që Balla e cilësoi si arritje të rëndësishme të përbashkët me opozitën ishte vota e diasporës:
“Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit ishte një hap i rëndësishëm i ndërmarrë së bashku me opozitën,” deklaroi ai, duke nënvizuar se përfshirja e diasporës në procesin zgjedhor përbën një përparim të ndjeshëm demokratik dhe një hap drejt standardeve të Bashkimit Evropian.
Përballë akuzave të deputetëve të opozitës lidhur me parregullsitë zgjedhore dhe mungesën e rezultateve konkrete për ndëshkimin e krimeve elektorale, Balla i është referuar procesit aktual të rinumërimit si një shembull pozitiv:
“Ajo që po ndodh aktualisht me procesin e rinumërimit është një proces i besueshëm, që të dyja palët po e bëjnë. Ky është një tregues i qartë se institucionet mund të funksionojnë me përgjegjësi dhe paanshmëri,” tha ministri.
Në fund të fjalës së tij, Balla u shpreh se është thelbësore që bashkëpunimi ndërmjet mazhorancës dhe opozitës të vijojë mbi baza konsensuale, në mënyrë që reformat të mos mbeten vetëm në letër, por të japin rezultate konkrete dhe të prekshme për qytetarët dhe integrimin evropian të vendit.