
Izraeli duket se po zgjeron fushatën e tij ajrore në Teheran, pesë ditë pas sulmit të papritur ndaj objektivave ushtarake dhe bërthamore të Iranit. Ndërkohë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, publikoi një mesazh duke paralajmëruar banorët e kryeqytetit iranian që të evakuohen.
“Irani nuk mund të ketë armë bërthamore,” shkroi Trump të hënën në mbrëmje, pak para se të kthehej në Uashington më herët se parashikohej nga një samit i Grupit të Shtatë në Kanada. “Të gjithë duhet të evakuohen menjëherë nga Teherani!”, shtoi ai.
Më pas, Trump mohoi raportimet se ishte kthyer me urgjencë për të punuar drejt një armëpushimi, duke deklaruar se largimi i tij i parakohshëm “nuk ka aspak lidhje me një armëpushim. Ka të bëjë me diçka shumë më tepër se kaq,” pa dhënë më shumë detaje.
Më herët, ushtria izraelite kishte bërë thirrje për evakuimin e rreth 330,000 banorëve nga një lagje në qendër të Teheranit. Kryeqyteti iranian, që është një nga qytetet më të mëdha në Lindjen e Mesme, numëron rreth 9.5 milionë banorë.
Izraeli deklaron se fushata e tij e gjerë ajrore, e drejtuar kundër udhëheqësve të lartë ushtarakë të Iranit, shkencëtarëve bërthamorë, objekteve të pasurimit të uraniumit dhe programit të raketave balistike, është e domosdoshme për të parandaluar që kundërshtari i tij historik t’i afrohet ndërtimit të një arme bërthamore.
Sipas raportimeve, që nga e premtja sulmet kanë shkaktuar të paktën 224 viktima.
Përpara largimit nga samiti i Grupit të Shtatë në Kanada, Presidenti Donald Trump iu bashkua udhëheqësve të tjerë në një deklaratë të përbashkët, ku theksohej se Irani “nuk mund të ketë kurrë një armë bërthamore” dhe u bëhej thirrje palëve për “uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme, përfshirë një armëpushim në Gaza.”
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u drejtua për në Dhomën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë për të zhvilluar një takim me presidentin dhe ekipin e tij të sigurisë kombëtare.
Hegseth nuk dha detaje mbi arsyen e takimit, por në një intervistë për Fox News të hënën vonë deklaroi se lëvizjet kishin për qëllim “të sigurojnë që njerëzit tanë të jenë të sigurt.”/AP