Vendosni fjalën kyçe....

Rrezikohet nga rrëshqitja e shkëmbinjve, evakuohet një fshat zviceran


Autoritetet zvicerane po ndërmarrin masa për evakuuimin e një fshati në lindje të vendit për shkak të rrezikut nga një rrëshqitje e mundshme shkëmbinjsh, vetëm tre javë pasi një rrëshqitje balte përmbyti një fshat të boshatisur në jugperëndim të Zvicrës.

Banorëve të Brienz/Brinzauls, rreth 40 kilometra në jugperëndim të Davosit, u është ndaluar hyrja në fshat për shkak të një mase shkëmbore në një pllajë sipër vendbanimit, e cila sipas autoriteteve “po lëviz me shpejtësi të tillë që paraqet rrezik shembjeje”.

Në deklaratën e bërë publike të hënën, theksohet se edhe veprimtaritë bujqësore në zonë janë ndaluar, ndërsa fermerët kanë larguar bagëtinë nga kullotat përreth, pas sinjaleve të hershme paralajmëruese që u vunë re të dielën.

Mali dhe shkëmbinjtë mbi Brienz/Brinzauls kanë qenë në lëvizje që nga Epoka e fundit e Akullnajave. Megjithëse shkrirja e akullnajave ndër shekuj ka ndikuar në destabilizimin e shtresave shkëmbore, autoritetet lokale theksojnë se shkrirjet e përshpejtuara të dekadave të fundit, të lidhura me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, nuk kanë qenë faktor kyç në këtë rast.

Fshati shekullor ndodhet në rajonin lindor të Graubündenit, në një zonë ku fliten gjermanishtja dhe romanishja, në një lartësi prej rreth 1,150 metrash mbi nivelin e detit. Sot, ai numëron më pak se 100 banorë./AP