
Komisioni Evropian ka propozuar një plan për të ndaluar gradualisht dhe në mënyrë efektive importin e gazit dhe naftës ruse në BE deri në fund të vitit 2027. Ky hap synon të rrisë pavarësinë energjetike të BE-së, të përmirësojë sigurinë e furnizimit me energji dhe të forcojë konkurrencën e Unionit.
Ky propozim ndjek strategjinë REPowerEU, e cila synon eliminimin e plotë të importeve ruse të naftës, gazit dhe energjisë bërthamore nga tregjet evropiane. Plani parashikon hapa për largimin e gazit të tubacionit dhe gazit të lëngshëm (LNG), si dhe masa për ndërprerjen e plotë të importeve të naftës ruse deri në fund të vitit 2027.
Procesi i largimit të gazit rus do të zhvillohet sipas këtyre etapave:
- Ndalohet importi i gazit rus nën kontrata të reja që nga 1 janari 2026.
- Importet nga kontratat afatshkurtra ekzistuese do të përfundojnë më 17 qershor 2026.
- Përjashtim do të bëhet për kontratat afatshkurtra të gazit të tubacionit që furnizojnë vendet pa dalje në det dhe lidhen me kontrata afatgjata; këto do të lejohen deri në fund të vitit 2027.
- Importet nën kontrata afatgjata do të përfundojnë plotësisht deri në fund të vitit 2027.
Për naftën, vendet e BE-së që ende importojnë naftë ruse do të duhet të hartojnë plane diversifikimi për të ndaluar të gjitha importet deri në fund të vitit 2027.
Sipas Komisionit, ndalimi i karburanteve fosile ruse do të ndihmojë në tranzicionin drejt energjisë së pastër dhe në përmirësimin e konkurrencës. Ky proces është i mundur falë furnizuesve alternativë të BE-së, një treg të mirë të ndërlidhur të gazit dhe infrastrukturës së mjaftueshme të importit. Gjithashtu, propozimi përmban mekanizma mbrojtës për të siguruar stabilitetin e tregut të gazit.