Vendosni fjalën kyçe....

Skenarët/ Si mund të rrjedhë lufta Izrael-Iran


Nga Gideon Rachman

Luftërat janë të paparashikueshme. Edhe izraelitët dhe iranianët nuk mund ta dinë se si do të përfundojë konflikti i tyre aktual.

Megjithatë, ka një numër analogjish për t’u marrë në konsideratë. E para është lufta gjashtëditore e vitit 1967. E dyta është lufta e Irakut e vitit 2003. Një skenar i tretë është një lloj i ri konflikti në të cilin Irani përdor mjete jokonvencionale për t’u kundërpërgjigjur Izraelit dhe perëndimit. Kjo mund të shndërrohet në një luftë hibride, që potencialisht përfshin terrorizëm ose edhe armë të shkatërrimit në masë.

Qeveria e Netanyahut do donte një përsëritje të vitit 1967 – në të cilin një sulm parandalues ​​izraelit shkatërroi forcën ajrore egjiptiane në tokë, në përgatitje për një fitore të shpejtë ndaj Egjiptit, Sirisë dhe Jordanisë.

Izraeli sigurisht që ka arritur suksese të hershme të shpejta dhe spektakolare në këtë konflikt. Por shkatërrimi i programit të shpërndarë bërthamor të Iranit, pjesa më e madhe e të cilit është nën tokë, është shumë më i ndërlikuar sesa shkatërrimi i objektivave mbi tokë.

Disa kritikë, veçanërisht në SHBA, kanë frikë se si rezultat po dëshmojmë një përsëritje të fazave të hershme të luftës në Irak të vitit 2003. Edhe ajo supozohet se u zhvillua për të parandaluar përhapjen bërthamore, me ambicien në sfond të ndryshimit të regjimit. Pas suksesit fillestar për koalicionin e udhëhequr nga SHBA-të, ajo u shndërrua në një moçal të përgjakshëm.

Megjithatë, ka shumë të ngjarë që lufta Izrael-Iran të ndjekë rrugën e vet të veçantë. Një skenar që shqetëson zyrtarët perëndimorë të sigurisë përfshin një regjim të dëshpëruar iranian që vendos të kundërsulmojë me mjete jokonvencionale.

Siç e thotë një politikëbërës i lartë: “Arsyeja pse kjo nuk është shndërruar ende në luftën e tretë botërore është se Irani duket se ka mjete shumë të kufizuara për t’u kundërsulmuar në mënyrë konvencionale.” Një zyrtar tjetër i lartë thotë se mund të ketë gjithashtu kufizime në aftësinë e qeverisë izraelite për të vijuar luftën me këtë intensitet sepse vendi i saj ka “sasi të kufizuar të rezervave të armëve”.

Nëse regjimi iranian beson po pëson një disfatë të madhe në një konflikt konvencional, do të ketë një zgjedhje të vështirë. Mund ta pranojë gjendjen e re dhe të përpiqet të negociojë një rrugëdalje nga telashet. Ose mund të përshkallëzojë me mjete jokonvencionale. Ky prag ka më shumë gjasa të kalohet nëse regjimi beson se është në një betejë për mbijetesë dhe duhet t’i tregojë forcën e tij popullit iranian dhe botës. Zemërimi dhe dëshira për hakmarrje gjithashtu nuk duhet të nënvlerësohen.

Në Uashington dhe Bruksel ka shqetësime se nëse regjimi iranian bllokohet, ai mund të sulmojë me dëshpërim.

Në të kaluarën e afërt, SHBA-të e kanë akuzuar Iranin se ka programe të fshehta të armëve biologjike dhe kimike. Nëse këto frikëra janë të sakta, Teherani mund të ketë mjetet për t’u kundërpërgjigjur objektivave izraelite ose amerikane në një mënyrë vdekjeprurëse.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka deklaruar gjithashtu se Irani ka një rezervë të konsiderueshme uraniumi që është pasuruar në 60 përqind. Besohet përgjithësisht se Teherani do duhet të arrijë në 90 përqind pasurim për të bërë një armë bërthamore. Kjo mund të bëhet brenda disa ditësh, megjithëse armatimi i një bombe bërthamore do zgjaste shumë më tepër.

Megjithatë, ekspertët e armëve theksojnë se është e mundur të ndërtohet një armë bërthamore e papërpunuar me uranium të pasuruar në 60 përqind. David Albright dhe Sarah Burkhard, të Institutit për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare, shkruajnë se “një nivel pasurimi prej 60 përqind mjafton për të krijuar një eksploziv bërthamor relativisht kompakt; pasurimi i mëtejshëm në 80 ose 90 përqind nuk është i nevojshëm”. Kjo lloj arme do ishte i përshtatshme për “hedhje përmes një sistemi shpërndarjeje të papërpunuar si një aeroplan, kontejner transporti ose kamion, i mjaftueshëm për ta bërë Iranin një fuqi bërthamore”.

Irani mund të zgjedhë të demonstrojë një armë bërthamore të papërpunuar për të provuar ta shokojë Izraelin duke e detyruar që t’i japë fund luftës. Një tjetër mundësi është se ai mund të aktivizojë një “bombë të pistë” – e cila përdor eksplozivë konvencionalë për të shpërndarë material radioaktiv. Lloji i skenarit për të cilin ekspertët shqetësohen do ishte përdorimi i një anijeje për të shpërthyer një pajisje pranë portit izraelit të Haifës.

Këto janë konsideratat që po peshohen – jo vetëm nga Izraeli, por edhe nga SHBA-të. Besohet përgjithësisht se vetëm Amerika ka bomba mjaft të fuqishme për të pasur një mundësi për të shkatërruar objektin bërthamor nëntokësor të Iranit në Fordow.

Ka shumë në Uashington që besojnë (ose kanë frikë) se SHBA-të do bashkohen me një fazë të dytë të fushatës së bombardimeve, në një përpjekje për të shkatërruar objektin Fordow dhe për t’i dhënë fund programit të armëve bërthamore të Iranit. Por nuk do të kishte asnjë garanci se edhe një sulm i udhëhequr nga amerikanët ndaj Fordow mund ta arrinte këtë. Ehud Barak, ish-kryeministri i Izraelit, shkruan: “E vërteta është se edhe amerikanët nuk mund ta vonojnë arritjen e Iranit te të pasurit e një arme bërthamore për më shumë se disa muaj.”

Barak argumenton se e vetmja mënyrë për të garantuar që Irani të mos bëhet kurrë fuqi bërthamore është që SHBA-të dhe Izraeli “të shpallin luftë kundër vetë regjimit derisa ai të rrëzohet”.

Por Donald Trump është zotuar vazhdimisht të jetë një paqebërës dhe i ka bërë thirrje Iranit dhe Izraelit të bëjnë një marrëveshje. Vetëm muajin e kaluar, ai mbajti një fjalim historik në Riad në të cilin përçmoi idenë se të huajt mund të sjellin ndryshime pozitive në Lindjen e Mesme përmes forcës. Do ishte një ironi e madhe – dhe një dështim i tmerrshëm politik – nëse Trump do të gjendej i tërhequr në një luftë tjetër për ndryshimin e regjimit në Lindjen e Mesme.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani