Vendosni fjalën kyçe....

Irani sinjalizon gatishmërinë për negociata mbi programin bërthamor, por kërkon që SHBA të mos përfshihet në sulmet izraelite


Irani ka dërguar mesazhe urgjente duke shprehur dëshirën për t’i dhënë fund përplasjes me Izraelin dhe për t’u rikthyer në tryezën e negociatave mbi programin e tij bërthamor. Sipas raportimeve nga YNetNews, këto mesazhe janë dërguar përmes ndërmjetësve nga vendet arabe dhe zyrtarë nga Evropa dhe Lindja e Mesme.

Ndërkohë, tensionet mes Izraelit dhe Iranit vazhdojnë të përshkallëzohen. Sirenat e alarmit për raketa kanë detyruar banorët e Haifës dhe veriut të Izraelit të strehohen në bunkerë, pasi IDF ka identifikuar raketa të lëshuara nga Irani drejt territorit izraelit.

Televizioni shtetëror iranian ka raportuar se Teherani po përgatit “sulmin më të madh dhe më intensiv me raketa në histori ndaj territorit izraelit”. Kjo deklaratë erdhi pasi IDF konfirmoi sulmin ndaj ndërtesës së televizionit shtetëror në Teheran, duke pretenduar se ajo përdorej për aktivitete ushtarake nga forcat e armatosura iraniane.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka konfirmuar se ka marrë mesazhe nga Irani, duke deklaruar: “Ata duan të flasin, por duhet ta kishin bërë më parë”. Ai shtoi se Irani duhet të arrijë një marrëveshje sa më shpejt, përpara se të jetë tepër vonë.