
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ndaj kërcënimeve të Iranit për sulme ndaj bazave ushtarake amerikane, nëse SHBA ndihmon Izraelin në interceptimin e raketave iraniane. Në një postim në Truth Social të dielën në mëngjes, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur rol në sulmet e fundit ndaj Iranit, përcjell YNetNews.
“SHBA nuk ka pasur asnjë lidhje me sulmin ndaj Iranit, sonte,”shkroi Trump. “Nëse sulmohemi në çfarëdo forme nga Irani, forca e plotë dhe fuqia e ushtrisë amerikane do të bjerë mbi ju në nivele që nuk janë parë kurrë më parë.”
Pavarësisht paralajmërimit, Trump theksoi se një marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe Iranit është e mundshme dhe mund të arrihet “lehtësisht” për t’i dhënë fund konfliktit të përgjakshëm, pa dhënë detaje mbi mënyrën e realizimit të saj.
Ndërkohë, Associated Press raportoi se gjatë natës tre dronë u lëshuan drejt bazës Ain al-Asad në Irak, ku janë të stacionuara forcat amerikane. Sipas zyrtarëve amerikanë, dronët u interceptuan me sukses. Milicitë irakiane, disa prej të cilave kanë qenë në negociata me qeverinë e Bagdadit për çarmatosje, nuk morën përgjegjësinë për sulmin.
Rreth dy muaj më parë, u raportua se katër milici të fuqishme pro-iraniane në Irak, përfshirë Kataib Hezbollah, kishin shprehur për herë të parë gatishmërinë për t’u çarmatosur, në përpjekje për të shmangur konfliktin me SHBA-në. Këto grupe, pjesë e “Rezistencës Islamike në Irak”, numërojnë rreth 50,000 luftëtarë dhe zotërojnë arsenale me raketa me rreze të gjatë dhe sisteme mbrojtëse ajrore.
Milicitë pro-iraniane kanë qenë aktive në luftën kundër Izraelit, duke u bashkuar me Hezbollahun në Liban dhe Houthit në Jemen pas sulmit të Hamasit më 7 tetor. Gjatë konfliktit, ato kanë lëshuar dhjetëra raketa dhe dronë drejt Izraelit dhe forcave amerikane në rajon. Një nga sulmet më vdekjeprurëse vrau tre ushtarë amerikanë në një bazë pranë kufirit Jordani-Siri. Megjithatë, muajt e fundit, këto grupe kanë shmangur sulmet, edhe ndaj Izraelit, pavarësisht përshkallëzimit të luftimeve në Gaza.