Vendosni fjalën kyçe....

Simon Zereci emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës pas dorëheqjes së Ermal Onuzit



Simon Zereci është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës pas dorëheqjes së Ermal Onuzit, me urdhër të Ministrit të Brendshëm. Ai ka mbajtur funksione të rëndësishme në Gardën e Republikës që prej vitit 1988, duke shërbyer në një sërë pozicionesh, përfshirë Komandantin e Njësisë Speciale që nga viti 2013.

Zereci ka përfunduar shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” dhe më pas ka ndjekur studimet e larta në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, në specialitetin “Gjithëarmësh”. Karrierën ushtarake e nisi në vitin 1986 në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, fillimisht si Komandant Toge në Repartin Ushtarak Zadrimë, më pas si Shef Stërvitjeje dhe në pozicione të tjera. Në vitin 1988 iu bashkua Gardës së Republikës, ku ka shërbyer në një sërë funksionesh, përfshirë Specialist për Ruajtjen Fizike në Drejtorinë e Sigurisë së Personaliteteve të Larta Shtetërore, Zëvendëskomandant i Kompanisë Operative dhe Komandant Grupi në Njësinë Speciale.

Gjatë karrierës së tij, Zereci është dalluar për përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë, duke rrezikuar edhe jetën në krye të detyrës. Në shtator të vitit 1998, ai u plagos gjatë shërbimit, teksa mbante funksionin e Zëvendëskomandantit të Kompanisë Operative. Ai ka kryer një sërë trajnimesh dhe kualifikimesh brenda dhe jashtë vendit në fushën e sigurisë, përfshirë kursin për mbrojtjen e personaliteteve në Egjipt, trajnime me instruktorë amerikanë për sigurimin e personaliteteve të larta shtetërore dhe programin ndërkombëtar të sigurisë të zhvilluar nga specialistë të sigurisë amerikane.

Në vitin 2020, Zereci mori gradën Kolonel, e cila me sistemin e ri të gradave u konvertua në Drejtues i Parë. Ndërsa grada Drejtues i Lartë iu dha kur me urdhër të Ministrit të Brendshëm u emërua Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Gardës. Me këtë emërim të ri, ai do të drejtojë Gardën e Republikës, duke sjellë eksperiencën e tij të gjatë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.