
Një zjarr i qëllimshëm ka rënë sot pranë Qendrës Rezidenciale “Lira” në qytetin e Beratit, ku strehohen persona me aftësi ndryshe. Persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë vendosur goma automjetesh pranë institucionit dhe i kanë vënë flakën.
Sipas njoftimit të dhënë nga një edukatore e qendrës, forcat zjarrfikëse ndërhynë menjëherë pas sinjalizimit dhe arritën të lokalizojnë shpejt flakët, duke shmangur përhapjen e zjarrit në zona më të gjera.
Fatmirësisht nuk raportohet për dëme në njerëz apo ndërtesa, por retë e dendura të tymit kanë përfshirë zonën përreth, duke shkaktuar ndotje mjedisore të konsiderueshme.
Burime nga Policia e Beratit bëjnë me dije se po vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme.