
Policia italiane ka përfunduar hetimet për një bandë të dyshuar kriminale që ka kryer dhjetëra vjedhje në zonën kodrinore të Torinos. Tetë persona, shumica me origjinë shqiptare dhe disa tashmë të burgosur për vepra të tjera penale, do të përballen me akuza për bashkëpunim kriminal dhe vjedhje me thyerje.
Sipas autoriteteve, grupi dyshohet për të paktën 68 episode të ndodhura midis janarit 2024 dhe marsit 2025. Hetimet janë ende në vijim për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm.
Banda kishte një strukturë të mirëorganizuar, me automjete të regjistruara në emër të personave të tretë për të shmangur gjurmimin, si dhe bashkëpunëtorë të ngarkuar me ruajtjen e mallrave të vjedhura. Gjatë një prej grabitjeve të fundit, një pjesë e anëtarëve u kapën në flagrancë dhe u arrestuan nga Karabinierët e kompanisë Chieri.