
Shefi i organizimit në Partinë Demokratike, Klevis Balliu, i ftuar këtë të shtunë në emisionin “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa në News24, deklaroi se opozita do të vijojë të denoncojë krimet elektorale, pavarësisht që nuk ka fuqi ligjore për të ndëshkuar autorët e tyre.
Balliu e konsideroi procesin e 11 majit si një “farsë elektorale” të provuar nga fakte konkrete të ditëve të fundit, duke përmendur të ashtuquajturin “trenin bullgar” në Elbasan si shembull të qartë të një skeme të organizuar për vjedhjen e votave.
“Farsa elektorale është faktuar. Treni bullgar i kapur me zë e figurë në Elbasan vërteton një sistem të ngritur për vjedhjen e zgjedhjeve. Është detyrë e opozitës dhe e jona si shoqëri që ta shkërmoqim këtë sistem”, tha Balliu.
I pyetur për rolin e opozitës pas përfundimit të zgjedhjeve, ai u shpreh se opozita nuk ka fuqi ekzekutive për të ndaluar apo arrestuar autorët e krimeve elektorale, por do të vijojë me denoncimet publike dhe politike.
“Opozita nuk ka fuqi të arrestojë asnjë njeri. Detyra jonë është të denoncojmë dhe këtë e kemi bërë. Kjo betejë është pjesë e misionit për të mbrojtur votën dhe për të mbajtur fjalën që i kemi dhënë shqiptarëve”, shtoi ai.
Duke kritikuar SPAK-un, Balliu tha se nëse ky institucion do të funksiononte siç duhet, nuk do të ishte opozita ajo që zbulonte rastet e shkeljeve elektorale.
“Nëse SPAK nuk do ishte kthyer në SKAP, trenin bullgar nuk duhej ta kapte opozita. SPAK ka marrë miliona dhe është trajnuar nga FBI, por nuk e kapi dot as këtë rast dhe as zyrat elektorale ilegale”, deklaroi ai.
Ai shtoi se Partia Demokratike kishte bërë 19 deklarata para zgjedhjeve, duke paralajmëruar për parregullsi dhe manipulime, por asnjë institucion nuk reagoi për t’i ndaluar.
Sipas Balliut, rezultati i zgjedhjeve ishte i paracaktuar përmes kontrollit të krimit në zona kyçe si Durrësi dhe Elbasani.
“Ne u nisëm për të fituar zgjedhjet, por paralajmëruam se do tentohej manipulimi. Kemi thënë që Sara Mila është kandidatja e Suel Çelës dhe ajo doli më e votuara në Shqipëri. Apo Arkend Balla i mbështetur nga Troplinët, mori 10 herë më shumë vota se katër vite më parë. Dhe ka deklaruar 2.6 milionë euro në llogari – nuk di çfarë rroge duhet të kesh për këtë shumë”, përfundoi Balliu.