Vendosni fjalën kyçe....

Dy civilë të plagosur në Jordani, pas përplasjes Izrael-Iran


Dy civilë u plagosën të shtunën në qytetin verior të Jordanisë, Irbid, si pasojë e një “objekti shpërthyes” që ra në zonë, raportuan mediat shtetërore jordaneze. Ky është rasti i parë i raportuar i dëmtimit të civilëve në Jordani që prej fillimit të shkëmbimeve ushtarake mes Izraelit dhe Iranit.

Pamjet nga televizioni shtetëror al-Mamlaka treguan një ndërtesë të dëmtuar, e rrethuar nga forcat e sigurisë në vendngjarje.

Të premten, Forcat e Armatosura Jordaneze deklaruan se nuk do të lejonin asnjë shkelje të hapësirës ajrore të vendit. Në të njëjtën ditë, Forcat Ajrore rrëzuan disa raketa dhe dronë që kishin hyrë në hapësirën ajrore të Jordanisë.

Kjo ndodhi pas një sulmi të paprecedentë të Izraelit ndaj objektivave ushtarake dhe bërthamore në Iran, i cili u pasua nga një seri sulmesh hakmarrëse iraniane ndaj Izraelit. Si masë sigurie, Jordania kishte mbyllur përkohësisht hapësirën e saj ajrore të premten, por fluturimet janë rifilluar mëngjesin e së shtunës, konfirmoi Komisioni Rregullator i Aviacionit Civil për CNN.