
Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, ka mbajtur një deklaratë të drejtpërdrejtë dhe kritike gjatë diskutimit për pozicionet negociuese në seancën e fundit të komisionit. Ajo denoncoi sjelljen e qeverisë në zgjedhjet e 11 majit, duke e konsideruar atë si një pengesë për integrimin europian.
Tabaku u ndal te rëndësia e Clusterit 4, që përfshin fushat e mjedisit, klimës, energjisë dhe ndërlidhjes, por theksoi se nuk mund të ketë përparim real pa respektim të standardeve demokratike.
“Po flasim për fusha që prekin qytetarët drejtpërdrejt, por jemi pas një procesi zgjedhor që tregoi se si sillet qeveria me themeloret, zgjedhjet dhe sundimin e ligjit,” tha ajo.
Në deklaratën e saj, Tabaku kritikoi raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet, duke theksuar se ai ngre shqetësime të qarta për abuzimin me pushtetin dhe zhdukjen e kufirit mes shtetit dhe partisë.
Debati në komision u tensionua pas ndërhyrjes së deputetes Mimi Kodheli, e cila kundërshtoi tonin kritik të Tabakut. Në përgjigje, Tabaku u shpreh: “Jam këtu për të shprehur mendimin tim politik. Ndoshta nuk ju pëlqen, por duhet të respektojmë njëri-tjetrin.”
Ajo përfundoi duke thënë se nuk mund të ketë dy standarde: “Nuk mund të sillemi si europianë në Bruksel dhe si shqiptarë në Tiranë. Qeveria duhet të sigurojë zbatimin e njëtrajtshëm të detyrimeve që burojnë nga integrimi.”
Pjesë nga fjala e Jorida Tabakut:
Sot diskutojmë për një nga grupkapitujt më të rëndësishëm në procesin e integrimit: Clusteri 4 – që përfshin politikat e mjedisit, klimës, energjisë dhe ndërlidhjes. Të gjitha këto janë fusha që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve shqiptarë dhe që lidhen ngushtësisht me modelin ekonomik dhe shoqëror që ne duam të ndërtojmë në të ardhmen.
Por, nuk duhet të harrojmë se ky diskutim zhvillohet vetëm pak javë pas një procesi zgjedhor, i cili testoi jo vetëm vullnetin e qytetarëve, por edhe qëndrueshmërinë e institucioneve tona demokratike. Dhe nëse integrimi europian ka një themel të padiskutueshëm, ai është pikërisht sundimi i ligjit dhe zgjedhjet e lira.
Ne po diskutojmë për grupkapitullin 4 që është shumë i rëndësishëm për mjedisin, për ndërlidhjen, për energjinë dhe që prekin qytetarët. Por, nuk duhet të harrojmë që jemi në një pikë kthese pasi jemi pas zgjedhjeve dhe kemi testuar se si kjo qeveri sillet me themeloret – pra me kapitullin e zgjedhjeve dhe sundimin e ligjit.
Ky është kapitulli që hapet i pari dhe mbyllet i fundit për nga rëndësia që ka. Dhe një vlerësues i këtij progresi është padyshim raporti i OSBE-ODIHR, që në versionin e tij paraprak flet hapur për abuzimin me pushtetin dhe për zhdukjen e vijës ndarëse mes shtetit dhe partisë.
Ne nuk mund të sillemi si europianë në Bruksel dhe si shqiptarë në Tiranë. Qeveria duhet të sigurojë uniformitet në zbatimin e detyrave. Ne kemi nevojë për një diskutim të thellë institucional për procesin zgjedhor, pasi nuk mund të heshtë Tirana.