
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi mbrëmjen e djeshme fshatin Xibër të bashkisë Klos, ku 65-vjeçari Selim Velsula u vra brutalisht me thikë.
Sipas raportimeve te BW, viktima jetonte prej vitesh në këtë fshat bashkë me bashkëshorten dhe gëzonte reputacion si një njeri i qetë dhe i përkushtuar ndaj jetës rurale. Rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, ai kishte nxjerrë bagëtinë në pronat familjare mbi fshat dhe ishte kthyer për të marrë ujë, kur ndodhi tragjedia.
Autori i dyshuar është kushëriri i tij, 28-vjeçari Hazbi Velsula, i cili prej disa kohësh ishte kthyer nga Tirana për të jetuar në zonën e origjinës. Sipas informacioneve paraprake, Hazbiu e ka thirrur viktimën me pretekstin se donte të bisedonin dhe më pas e ka qëlluar disa herë me thikë në pjesën e gjoksit.
Pas sulmit, viktima ka tentuar të kthehet drejt banesës, por ka humbur jetën rrugës, ku është gjetur pa shenja jete nga një banor i zonës që po shkonte të merrte ujë për vaditje. Ai ka lajmëruar menjëherë bashkëshorten e viktimës dhe më pas autoritetet.
Pas ngjarjes, Hazbi Velsula ka telefonuar motrën e tij dhe e ka informuar se “e kishte kryer vrasjen me mjet prerës”. Motra njoftoi policinë, e cila ka ndërhyrë menjëherë duke rrethuar zonën ku dyshohej se ishte fshehur autori.
Dyshohet se Hazbi Velsula vuan nga probleme të shëndetit mendor, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë.
Ngjarja ka tronditur komunitetin vendas, ndërsa policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të krimit.