Vendosni fjalën kyçe....

Rama reagon për vendimin e gjykatës që rrëzoi padinë e tij për shpifje ndaj Bashës: “Vendim absurd, logjikë nën nivelin e një 12-vjeçari”


Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, e cila rrëzoi padinë e tij për shpifje ndaj kreut të opozitës, Lulzim Basha, të ngritur në vitin 2018.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama e cilëson vendimin si “një satirë gjyqësore”, duke kritikuar ashpër arsyetimin e gjykatëses dhe duke e marrë si shembull të gjendjes shqetësuese të sistemit të drejtësisë në vend.

Sipas Ramës, gjykata ka justifikuar rrëzimin e padisë me argumentin se ai “nuk ka pësuar dëm”, pasi edhe sot vazhdon të mbajë detyrën e kryeministrit, gjë që sipas gjykatës nënkupton se deklaratat e Bashës nuk kanë ndikuar në perceptimin publik ndaj tij.

“Pra sipas gjykatëses, Luli s’ka shpifur përderisa shpifja e tij s’më ka larguar mua dot nga detyra!!!” – shkruan Rama, duke ironizuar më tej: “Ky arsyetim nuk ka dalë nga ndonjë libër humoristik, por nga një gjykatëse që paguhet më shumë se një mësues apo një mjek”.

Rama shpreh shqetësimin se nëse ky është niveli i vendimmarrjes në raste të tilla, atëherë çfarë mund të ndodhë me çështje shumë më të rëndësishme që prekin qytetarët.

 “Halli nuk është te një shpifje që nuk më hoqi dot nga detyra, por te drejtësia e njerëzve të zakonshëm që varet nga gjykatës me logjikë nën nivelin e një 12-vjeçari”, shton ai.

Kryeministri i referohet gjithashtu kërkesës së unionit të gjyqtarëve për rritje page me 700 euro, duke e cilësuar si të papërputhshme me cilësinë e vendimeve që, sipas tij, prodhohen në gjykata.

Në përfundim, Rama ngre pyetjen nëse “qeveria e Gjyqësorit”, përfshirë KLGJ-në, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, dhe institucionet mbikëqyrëse, do të zgjohet nga gjumi për të garantuar përgjegjshmëri publike në vendimmarrjet gjyqësore.

 

Reagimi i kryeministrit Rama:

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, e cila ka rrëzuar padinë e tij për shpifje ndaj Lulzim Bashës, e ngritur që në vitin 2018. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ironizoi arsyetimin e gjykatëses, duke e cilësuar vendimin si “satirë gjyqësore” dhe si një tregues shqetësues për gjendjen e drejtësisë në vend.

Gjykata e Shkallës Parë Tiranë sot ka hedhur poshtë padinë time për shpifje ndaj Lulit në vitin 2018, për të cilën gjykatëses i janë dashur shtatë vjet që të dalë në konkluzionin se, unë “si paditës s’kam pësuar ndonjë dëm, pasi dhe aktualisht mbaj detyrën e kryeministrit dhe deklarata”, pra shpifja e Lulit “nuk ka ndikuar në perceptimin ndaj meje në publik”!!!

Pra sipas gjykatëses, Luli s’ka shpifur përderisa shpifja e tij s’më ka larguar mua dot nga detyra!!!

Tani që ky arsyetim nuk ka dalë nga ndonjë libër humoristik, po nga një gjykatë dhe që arsyetuesi nuk është autori i “Ushtarit të mirë Shvejk”, po një gjykatëse që paguhet më shumë se sa një mësuese apo një mjeke nga taksat e shqiptarëve, ky është një fakt për të qarë e aspak për të qeshur – kur mendon pastaj edhe që kjo gjykatëse i përket Unionit që kërkon rritje page 700 Euro nga Gjykata Kushtetuese, qarja bëhet vajtim! Ndërsa po t’i shtosh pastaj kësaj ngjarjeje satirike gjyqësore, dyshimin për se si mund t’i vejë halli të drejtës së njerëzve për çështje më të rëndësishme në duart e një gjykatëseje të tillë, atëherë të vjen të pyesësh: A do zgjohet nga gjumi qeveria e Gjyqësorit, me këshilltarët e inspektorët e lartë dhe qindra punonjësit e administratës së saj të aq mirëpaguar, për t’i kaluar në filtrin e përgjegjësisë së lartë publike bëmat dhe gjëmat me të cilat përballet e drejta e njerëzve të zakonshëm në sallat e gjyqeve?!

Dhe të kuptohemi mirë, halli nuk është farë çfarë bëri një gjykatëse me një çështje për shpifje, aq më tepër kur shpifësin në fjalë se marrin më seriozisht as këpucët pa lidhëse që vesh:-)

Këtu halli është si do u vejë halli çështjeve shumë më të rëndësishme të njerëzve, që varen nga mendja e gjykatëses në fjalë apo të tjerëve si ajo, të cilët e kanë nivelin logjik nën kapacitetin e një 12 vjeçari!!!