
NATO po zgjeron kapacitetet e saj të mbikëqyrjes satelitore për të monitoruar lëvizjet ushtarake në Ukrainë dhe përgjatë krahut lindor, përcjell Bloomberg. Aleanca ka prezantuar një iniciativë të re të quajtur Smart Indication And Warning Broad Area Detection (SINBAD), e cila përdor analizën e inteligjencës artificiale për të zbuluar ndryshime dhe për të lëshuar paralajmërime.
Kjo teknologji do t’i mundësojë NATO-s të vëzhgojë territore të gjera me një frekuencë të paprecedentë, duke ndihmuar në gjurmimin e lëvizjeve të trupave dhe operacioneve në fushën e betejës. Sistemi pritet të luajë një rol të rëndësishëm edhe në monitorimin e respektimit të marrëveshjeve të mundshme të armëpushimit në Ukrainë.
Për më tepër, ministrat e mbrojtjes të NATO-s kanë miratuar së fundmi një rritje të konsiderueshme të rezervave të armëve, duke shënuar një nga angazhimet më ambicioze që nga Lufta e Ftohtë. Aleanca po shqyrton gjithashtu një prag të ri të shpenzimeve për mbrojtjen prej 5% të PBB-së, ku 3.5% do të alokohet për mbrojtjen bazë dhe 1.5% për sektorë të lidhur.