Vendosni fjalën kyçe....

Trazirat në Los Anxhelos, organizata e majtë bën thirrje për kthimin e flamujve amerikanë me kokë poshtë (Video)


Fondacioni i Marshimit të Grave i ekstremit të majtë po bën thirrje që flamuri amerikan të valëvitet me kokë poshtë në gjithë vendin si një shenjë kundërshtimi për dërgimin nga Trump të trupave të Gardës Kombëtare në Los Angeles gjatë trazirave atje, shkruan Breitbart.

“Po shohim një diktator të marrë pushtetin. Flamuri përmbys është sinjali paralajmërues për botën se demokracia amerikane është në vështirësi. Nuk është jopatriotike të rezistosh; është jopatriotike të qëndrosh i heshtur”, deklaroi presidentja e Fondacionit të Marshimit të Grave, Emiliana Guereca, në një njoftim për shtyp të martën.

“Fondacioni i Marshimit të Grave po u bën thirrje të gjithë amerikanëve, qoftë përmes marshimit apo protestës, t’u bashkohet në këtë veprim të fuqishëm rezistence”, tha grupi.

Organizata shkoi deri aty sa e krahasoi goditjen e Trumpit ndaj emigracionit të paligjshëm me “taktikat e hershme të Gjermanisë naziste” dhe e kritikoi atë për “anashkalimin e vullnetit” të udhëheqjes së majtë të Kalifornisë duke dërguar Gardën Kombëtare në Los Angeles.

“Sot, po shohim një president që lëshon ushtrinë kundër popullit amerikan për të shtypur mospajtimin, për të terrorizuar komunitetet e emigrantëve dhe për t’u kapur pas pushtetit”, pretendoi grupi.

Sipas KTLA-së, disa protestues në Los Angeles “janë parë me flamuj amerikanë të përmbysur”.

Protesta dhe trazira shpërthyen të premten, ndërsa protestuesit kundër operacionit për dëbimin e emigrantëve të paligjshëm u përpoqën të pengonin agjentët. Të majtët janë parë duke djegur flamuj amerikanë në rrugë, ndërsa valëvitnin flamuj meksikanë, duke vandalizuar makina dhe duke plaçkitur biznese.