Vendosni fjalën kyçe....

Mbytet në lumin Shkumbin një 6-vjeçar


Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Elbasanit mbrëmjen e 10 qershorit, ku një fëmijë vetëm 6 vjeç ka humbur jetën në rrethana tragjike. Trupi i pajetë i të miturit u gjet buzë lumit Shkumbin, në lagjen “Çezme”.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rreth orës 19:50 është paraqitur në komisariat një qytetare me inicialet D. A., e cila raportoi për zhdukjen e nipit të saj, që prej më shumë se tre orësh nuk kishte dhënë asnjë shenjë jete.

Menjëherë pas denoncimit, forcat e rendit nisën kërkimet në zonë, dhe rreth orës 21:30, trupi i fëmijës u gjet pa shenja jete pranë lumit.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 19:50 të datës 10.06.2025, ka njoftuar shtetasja D. A. se prej 3 orësh, kishte humbur nipi i saj 6-vjeçar. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet për gjetjen e të miturit dhe rreth orës 21:30, kanë gjetur trupin e pajetë të tij, buzë lumit Shkumbin, konkretisht në lagjen “Çezme”.

Gjatë këqyrjes paraprake të trupit të të miturit, nuk janë konstatuar shenja dhune dhe nga hetimet e deritanishme, dyshohet se ai është mbytur në lumë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, me qëllim vlerësimin juridik të rastit.