Vendosni fjalën kyçe....

Ish-polici shqiptar Fatos Cenaj ndërron jetë në Itali pas plagosjes me armë zjarri


Pas tri ditësh në gjendje kritike, ish-polici shqiptar Fatos Cenaj ka ndërruar jetë në spitalin e Padovës, pasi u qëllua me dy plumba në kokë më 8 qershor në rrugën Casoni Basse.

Hetimet e autoriteteve italiane po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa prokuroria ka kërkuar autopsi dhe ekspertizë balistike për të përcaktuar trajektoren e plumbave dhe llojin e armës së përdorur.

Aktualisht nuk ka dëshmitarë dhe nuk janë gjetur kamera sigurie që mund të ndihmojnë hetuesit. Një kalimtar e gjeti Cenajn të shtrirë pranë triciklit të tij dhe fillimisht mendoi se ai kishte humbur ndjenjat, por ekipet mjekësore konfirmuan se situata ishte shumë më serioze.

Autoritetet po shqyrtojnë të gjitha pistat, duke përfshirë mundësinë e një atentati të porositur për hakmarrje, si dhe një aksident të mundshëm me armë zjarri. Hetimet po vijojnë për të identifikuar autorët dhe motivet e sulmit.